Koha para ekranit dhe truri i fëmijëve

0
241

Shkencëtarët hedhin dyshime mbi mitet që lidhin përdorimin e pajisjeve teknologjike me dëmtimin e trurit dhe shëndetit mendor të fëmijëve.

Disa ditë më parë, ndërsa po bëja disa punë të shtëpisë, ia dhashë djalit tim të vogël iPad-in e babait të tij për ta mbajtur të zënë. Por pas pak kohe, ndjeva papritur një ndjesi të pakëndshme, nuk po e kontrolloja se sa kohë kishte kaluar përpara ekranit dhe as se çfarë po shikonte. Kështu që i thashë se ishte koha të ndalonte.

Reagimi ishte një shpërthim i vërtetë histerie. Filloi të godasë, të bërtasë, u kap fort pas pajisjes dhe u përpoq të më shtynte me fuqinë e një pesëvjeçari të tërbuar. Jo momenti im më i mirë si prind, sigurisht, dhe reagimi i tij i ekzagjeruar më shqetësoi.

Fëmijët e mi më të mëdhenj janë tashmë në botën e rrjeteve sociale, realitetit virtual dhe lojërave online dhe kjo më shqetëson gjithashtu. I dëgjoj shpesh ta ngacmojnë njëri-tjetrin me shprehjen “duhet të prekësh barin”, që do të thotë të shkëputesh nga teknologjia dhe të dalësh jashtë.

I ndjeri Steve Jobs, ish-CEO i Apple kur u lançua iPad-i, thuhet se nuk i lejoi vetë fëmijët e tij ta përdorin atë. Edhe Bill Gates ka thënë se ka kufizuar qasjen e fëmijëve të tij ndaj teknologjisë.

Koha para ekranit është bërë sinonim i lajmeve të këqija, fajësohet për shtimin e depresionit tek të rinjtë, për sjellje problematike dhe për mungesë gjumi. Neuroshkencëtarja e njohur, Baronessa Susan Greenfield, ka deklaruar se përdorimi i internetit dhe i lojërave kompjuterike mund të dëmtojë trurin adoleshent.

Që në vitin 2013 ajo e krahasoi ndikimin negativ të kohës para ekranit me ditët e para të ndryshimeve klimatike: një ndryshim i madh që njerëzit nuk po e merrnin seriozisht.

Sot, shumë njerëz po e marrin seriozisht. Por paralajmërimet për anët e errëta të teknologjisë mund të mos tregojnë të gjithë të vërtetën.

Një editorial në British Medical Journal argumentoi se pretendimet e Baroness Greenfield për trurin “nuk bazohen në një vlerësim shkencor të drejtë të provave… dhe janë mashtruese për prindërit dhe publikun e gjerë”.

Tani, një grup tjetër shkencëtarësh në Mbretërinë e Bashkuar pohon se mungojnë prova të forta shkencore për dëmet nga ekranet. A kemi gabuar duke u shqetësuar për qasjen e fëmijëve ndaj tabletëve dhe telefonave?

A është vërtet aq keq sa duket?

Pete Etchells, profesor i psikologjisë në Universitetin Bath Spa, është një nga akademikët që argumenton se provat janë të pamjaftueshme. Ai ka analizuar qindra studime mbi kohën para ekranit dhe shëndetin mendor, si dhe shumë të dhëna mbi zakonet e të rinjve për përdorimin e teknologjisë.

Në librin e tij Unlocked: The Real Science of Screen Time, ai argumenton se shkenca pas përfundimeve alarmuese është shpesh e përzier dhe jo gjithmonë e besueshme.

“S’ka prova shkencore të qarta që mbështesin historitë rreth pasojave të tmerrshme të kohës para ekranit,” shkruan ai.

Një studim i publikuar nga Shoqata Amerikane e Psikologjisë në vitin 2021 nxori një përfundim të ngjashëm. 14 autorë nga universitete të ndryshme analizuan 33 studime të botuara midis 2015 dhe 2019 dhe zbuluan se përdorimi i telefonave, rrjeteve sociale dhe videolojërave kishte “pak ndikim në shqetësimet e shëndetit mendor”.

Ndërkohë, një përmbledhje e vitit 2024 e 11 studimeve globale nuk gjeti prova që drita blu nga ekranet përpara gjumit ndikonte në cilësinë e gjumit.

Problemet me shkencën

Sipas Prof. Etchells, një problem kryesor është që shumë nga të dhënat mbështeten në “raportim vetjak”, pra fëmijët thjesht pyeten sa kohë mendojnë se kaluan para ekranit dhe si ndiheshin.

Ai thekson se ka miliona mënyra për të interpretuar të dhënat. Jep shembullin e ngritjes së shitjes së akullores dhe rritjes së rasteve me kancer të lëkurës gjatë verës të dyja lidhen me të nxehtin, por nuk kanë lidhje direkte me njëra-tjetrën.

Një studim tjetër zbuloi se vetmia ishte faktori më i fortë që shtynte depresionin te të rinjtë jo vetë koha para ekranit.

Doomscrolling apo përmbajtje pozitive?

Një tjetër problem është vetë natyra e kohës para ekranit. A ishte përmbajtje edukative apo thjesht “doomscrolling”? Ishte fëmija vetëm apo duke ndërvepruar me miq online?

Një studim që analizoi 11,500 skanime të trurit të fëmijëve 9-12 vjeç nuk gjeti lidhje midis përdorimit të ekranit dhe problemeve me mirëqenien mendore apo funksionin njohës.

Profesori Andrew Przybylski nga Oxford, një nga mbikëqyrësit e studimit, thotë se nëse ekranet po dëmtonin trurin në mënyrë të qëndrueshme, do ta kishim parë në të dhënat masive. Por kjo nuk ndodh.

Profesor Chris Chambers nga Universiteti i Cardiff e përforcon këtë qëndrim: “Po të ishin trutë tanë kaq të brishtë, do të ishim zhdukur kohë më parë.”

‘Një formulë e tmerrshme për shëndetin mendor’

As Prof. Przybylski e as Etchells nuk mohojnë rreziqet si abuzimi online apo përmbajtja e dëmshme. Por ata mendojnë se debatet e tanishme mund t’i shtyjnë fëmijët ta përdorin fshehurazi teknologjinë.

Organizata britanike Smartphone Free Childhood ka mbledhur mbi 150,000 firma për të ndaluar përdorimin e smartphone-ve për fëmijët nën 14 vjeç.

Ndërkohë, profesorja Jean Twenge nga Universiteti i San Diegos beson se ekranet janë faktori kryesor që lidhet me depresionin. “Truri i fëmijëve është më i zhvilluar në moshën 16 vjeç dhe shoqëria më e qëndrueshme,” thotë ajo.

Një studim danez i vitit 2024 ku disa fëmijë u kufizuan në vetëm 3 orë ekran në javë, tregoi përmirësim të simptomave psikologjike dhe sjelljes prosociale.

Një tjetër studim në MB gjeti se përdorimi më i madh i rrjeteve sociale lidhej me depresion më të madh tek vajzat.

“Kur je më shumë online, shpesh vetëm, me më pak gjumë dhe më pak kohë me miqtë, kjo është një recetë e keqe për shëndetin mendor,” thotë Twenge.

‘Gjyq mes prindërve’

Etchells e pranon ankthin e prindërve, por shton se mungesa e udhëzimeve të qarta e bën më të vështirë situatën.

Jenny Radesky, pediatre në Universitetin e Michiganit, ka theksuar se debati është bërë shumë gjykues dhe krijon më shumë ndjenjë faji tek prindërit sesa informim të bazuar në prova./BBC

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here