Pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, kriza ekonomike në Evropë shënoi rritje të hovshme. Ndalja e eksportit të kulturave bujqësore nga Rusia e Ukraina, bënë që çmimet e produkteve në Evropë të dyfishoheshin e trefishoheshin.
Se ka krizë, këtë e thonë të gjithë, nga ekspertët e deri te qytetarët. Por kjo nuk është asgjë me atë që përjetoi Gjermania pak vite pas Luftës së Parë Botërore, thuhet në dosjet arkivore të BBC-së.
Gjermania e pati të pamundur t’i paguante kostot dhe dëmet e luftës. Kriza ekonomike dhe inflacioni ishte i pashmangshëm.
Marka gjermane u prek rëndë, duke shkaktuar paqëndrueshmëri të konsiderueshme.
Futja e punëtorëve në greva për shkak të mospagesës, e shtyri vendin drejt një krize të thellë, duke e detyruar qeverinë që të shtypte kartëmonedha pa fund. Kjo shkaktoi vërshim të parave, pasi sa më shumë që shtypeshin, aq më tepër rriteshin çmimet.
Në një moment, më shumë kushtonte shtypja e një kartmonedhe se që ishte vlera e saj.
Inflacioni ishte aq i madh sa që një bukë, që në janarin e 1923-s kushtonte 250 marka gjermane, në nëntor të atij viti shkoi në 200 miliardë marka. Natyrisht 200 miliardë marka të atëhershme ishin shumë më pak se 1 dollar.
Në disa raste përgjatë krizës, punëtorët paguheshin nga dy herë në ditë, pasi vlera e markës ndryshonte shpejt, me ç’rast në fund të ditës, paga e tyre ishte e pavlefshme.
Në këtë kohë krize më 9 qershor 1923, 1 kokërr vezë kushtonte 800 marka, 1 litër qumësht 1440 marka, 1 kg patate 5000 marka, 1 udhëtim me tramvaj 600 marka. Gjashtë muaj më vonë, 1 vezë kishte vlerën e 320 miliardë markave, 1 litër qumësht 360 miliardë, 1 kg patate 90 miliardë e 1 udhëtim me tramvaj 50 miliardë. Vlera e 1 dollari shkoi në 4 trilion marka./Koha