Koalicioni AAK-NISMA planifikon zhvendosjen e Presidencës së Kosovës nga Prishtina në Prizren

0
35

Kandidatët për deputetë nga Koalicioni AAK-NISMA, në emisionin “Debat Përnime”, më 17.01.2025, kanë shpalosur edhe një projekt që parashohin ta realizojnë në Rajonin 04- Prizrenin, në rast se ia dalin të marrin drejtimin e Qeverisë, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Ky projekt parasheh zhvendosjen e Presidencës së Kosovës nga Prishtina në Prizren.

Besnik Krasniqi, tha se kjo çështje është trajtuar me ekspertë të fushës kushtetuese.

Për zhvendosjen e Presidencës sipas tij, duhet vetëm të ndërhyhet në Ligjin për presidentin dhe në Ligjin për Kryeqytetin.

“[Ky projekt] Nuk e prek Pakon e Ahtisaarit sepse e kemi trajtuar me ekspertë të fushës kushtetuese. Do të prek vetëm dy ligje: atë për Presidencën e Kosovës dhe të Kryeqytetit të Kosovës, të cilat me një shumicë të thjeshtë mund të plotësohen e të ndryshohen, në mënyrë që ky institucion të kalojë në qytetin historik”- tha ai.

Me bartjen e Presidencës në qytetin e Prizrenit, sipas Krasniqit, do të mundësohet edhe një zhvillim më i madh për këtë rajon.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”./Kallxo.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here