Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër, duke akuzuar ZRrE-në për kriminalizim dhe vjedhje sistematike ndaj qytetarëve për më shumë se 15 vite, raporton 04 Online.
Sipas KMDLNj-së, rritja e çmimit bëhet për të mbuluar konsumin e rrymës nga komuniteti serb që, siç thuhet, nuk ka paguar për energjinë me vite të tëra.
“Përkundër kundërshtimit thuaja plebishitar të qytetarëve të Kosovës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike , kusarët e ZRrE – së sot morën vendim që faturat të jenë 16 përqind më të larta ndonëse flitej para zgjedhjeve se nuk do të ketë shtrenjtim të rrymës. Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve qeveria në detyrë Kurti 2 u pajtua për rritje të çmimit në ndërkohë që një ministre e kësaj qeverie dilte me disa propozime se sa dhe kujt duhet t’i fryheshin faturat. Ndonëse është jashtëzakonisht e kamur , kjo ministre kinse bënte përpjekje që të kursehen shtresat e rrezikuara sociale dhe të penalizohen shpenzuesit e mëdhenj , që shpenzojnë mbi 800 Kw në muaj si dhe ata që me rrymë prodhojnë drogë. Çfarë injorante dhe çfarë provokimi ! KMDLNj – ë ka reaguar në vazhdimësi kundër kriminalizimit dhe politizimit të ZRrE – së sidomos pasi është zënë duke vjedhur qytetarët e Kosovës thuaja 15 vite e që është vërtetuar edhe me vendim të Gjykatës. Vjedhja e qytetarëve shqiptarë dhe joserbë është bërë për të mbuluar shpenzimet për serbët që nuk e kanë paguar asnjëherë rrymën e që edhe tani e bëjnë në mënyrë simbolike. Kundër shtrenjtimit të rrymës ka pasur reagime të shumta nga profesionistë të fushës , oda ekonomike dhe biznese , nga pensionistë dhe kategori sociale , media dhe organizata për mbrojtje të konsumatorit dhe të drejtave të njeriut por se janë shpërfillur nga qeveria në detyrë dhe struktura e organizuar kriminale – ZRrE . Për më keq struktura e organizuar kriminale – ZRrE e ka rritur çmimin e energjisë elektrike për 16 përqind për të gjitha kategoritë.
KMDLNj – ë konsideron se reagimi qytetar nuk është në përputhje me dëmin që ua bënë ZRrE dhe qeveria në detyrë përmes ministrisë përkatëse.
KMDLNj – ë propozon që protestat të mbahen në të gjitha qytetet e Kosovës duke mos lejuar që të dhunohen të drejtat e tyre sociale dhe ekonomike , si të drejta të njeriut. Qytetarët e Kosovës duhet të marrin shembull nga shtetet më të zhvilluara evropiane që për raste shumë më të lehta se ky veprim kriminal i ZRrE- së , bënë protesta të përditshme dhe të fuqishme deri sa rrëzuan edhe qeveri e lëre më dorëheqje ministrash. Në Hungari vetëm sa u shtrenjtuan thuaja simbolikisht shërbimet për internet , e tërë Hungaria u përfshi në demonstrata dhe u krijua gjendja e jashtëzakonshme. Protestat në Kosovë duhet të kenë karakter ekonomik dhe social dhe duhet të përfshijnë të gjitha kategoritë e qytetarëve , pavarësisht përkatësisë etnike, fetare , moshës , gjinisë , statusit në shoqëri apo bindjeve politike . Duhet të kërkohet shkarkimi dhe përgjegjësi penale për ZRrE , ministrinë në detyrë sikur edhe të hetohet importimi i energjisë elektrike shkaku se ja dyshime se rryma është shitur lirë nga Kosova dhe është blerë me çmime shumë të larta. Duhet të kërkohet me këmbëngulësi kompensimi i parave të vjelldhura nga ZRrE gjatë periudhës 15 vjeçare. Duhet të kërkohet largimi i diskriminimit tarifor sikur që edhe të eliminohet taksa fikse prej 2 eurove për mbi 500.000 njehësorë në Kosovë për të cilën nuk ka bazë ligjore. Nëse nuk përmbushen këto kërkesa të arsyeshme , protestat duhet të jenë të përditshme , duhet të bllokohen hapësirat për të pamundësuar qasje dhe krime të reja nga ZRrE dhe cilado qeveri kundër standardit dhe mbijetesës së shumicës së qytetarëve të Kosovës. Qytetarët e pakënaqur nuk duhet ta përjashtojnë as grevën e urisë në mbrojtje të mbijetesës së tyre kundër keqbërësve të cilësdo qeveri dhe instrumentit kriminal të saj – ZRrE- së.
KMDLNj – ë tërheq vërejtjen se shtrenjtimi i rrymës në mënyrë zinxhirore do të rrisë të gjitha çmimet e artikujve të domosdoshëm për mbijetesë sikur edhe të gjitha shërbimeve.
KMDLNj – ë ftonë të gjitha sindikatat të bëhen prijatare të protestës dhe mënyrave tjera të kundërshtimit , ftonë pensionistët dhe kategoritë sociale , veteranët e luftës Çlirimtare, studentët , punëtorët e arsimit, shëndetësisë dhe administratës të protestojnë fuqishëm duke kërkuar indeksimin e çmimeve , rritje të pagave , pensioneve dhe ndihmave sociale. Qytetarët e Kosovës nuk duhet të lejojnë që kërkesat e tyre të drejta dhe të arsyeshme të shpërfillen aq brutalisht nga ata që duhet t’i mbrojnë e që paguhen me paga jonormale të larta kur të krahasohen me pagën mesatare në Kosovë.
KMDLNj ka përkrahur dhe do të përkrahë çdo protestë apo mënyrë tjetër të kundërshtimit qytetar , në mbrojtje të dinjitetit , statusit ekonomik dhe social që pamëshirshëm po shkelen nga autoritetet dhe institucionet e shtetit.”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së./04 Online