Bisedimet për normalizim të marëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë po vazhdojnë kurse informatat nga ato bisedime janë të pamjaftueshme sidomos për familjarët e të zhdukurve me dhunë që, në ankth, që nga përfundimi i luftës presin informata për fatin e familjarëve të tyre. Kjo e drejtë po iu mohohet për shkaqe subjektive dhe objektive duke e përdorur si armë politike në ndërkohë që kemi të bëjmë me një rast që ekskluzivisht i takon të drejtave të njeriut. Edhe pas arritjes së Marrëveshjes në Ohër, familjarët e të zhdukurve me dhunë nuk e kanë të qartë për veprimet që do të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të të gjithë atyre që janë në listën e të pagjeturve, pavarësisht përkatësisë etnike, moshës, gjinisë e të tjera. KMDLNj –ë dyshon fort se do të hapen dosjet nga Sebia për zbardhje të fatit të të pagjeturve kurse Kosova nuk ka dosje për të hapur kështu që, edhe në të ardhmën do të kemi një gjendje të pandryshuar e që do ta vazhdojë ankthin dhe pasigurinë e familjarëve që, me të drejtë kërkojnë informata për fatin e më të dashurve të tyre. Asnjë marrëveshje nuk mund të negociohet, të nënshkruhet apo të zbatohet pa përfilljen e kërkesave të familjarëve sepse fati i të pagjeturve ka mbetur pa një adresë institucionale, vendore apo ndërkombëtare por ishte, është dhe do të jetë vetëm brengë dhe angazhim i familjeve të të pagjeturve. Familjet e të të pagjeturve po ushqehen me shpresa të rreme duke rritur pritjet se do të bëhet më shumë për zbardhjen e fatit të tyre dhe duke e vënë si prioritet mbi prioritetet e që asnjëherë deri më tani nuk ishte jetësuar ky premtim. Përveç kur skajshmërisht manipulohet për qëllime politike duke ndarë të pagjeturit në baza politike dhe etnike. KMDLNj –ë vlerëson se me këtë rast familjarëve dhe të gjithë atyre që po kërkojnë zbardhjen e fatit të personave të pagjetur në mënyrë brutale po iu shkelen të drejtat e njeriut, të drejtën për informim dhe të drejtën për drejtësi.
Pas Marrëveshjes së Ohrit në Kosovë janë shpeshtuar vizitat e atyre që kanë fuqi absolute për marrje të vendimeve dhe dyshes “lehtësuese“, Borrell – Lajçak të cilët po këmbëngulin për themelimin e Asociacionit – Zajednicës, si kusht mbi të gjitha kushtet tjera për të vazhduar për zbatim të Marrëveshjes së Ohrit. Domosdoshmëria urgjente për themelim të Asociacionit – Zajednicës është kërkesë e përbashkët e ndërkombëtarëve e që është thuaja në valë të njëjta me Serbinë. Në ndërkohë qeveria e Kosovës e mohon se ekziston një kierarki e përcaktuar apo e dakorduar ku Asociacionin – Zajednicën e vë si prioritet numër një apo prioritet absolut. Qytetarët e Kosovës, për këto zhvillime po informohen vetëm në bazë të informatave të filtruara apo të klasifikuara të disa mediave në ndërkohë që i ngarkuari për këto negociata nga Kosova, Besnik Bislimi nuk thotë asgjë ose shet mjegull në vend se ta sqarojë publikun për zhvillime në procesin negociator, për aq sa nuk e dëmtojnë tërë procesin. Që nga fillimi i bisedimeve për të ashtuquajturin normalizim të marëdhënieve, asnjëherë nuk kemi pasur mbyllje më të madhe dhe mungesë të informatave për procesin kurse debatet para Kuvendit të Kosovës, në vend të jetë një raport informues, më shumë i ngjanë një qërimi verbal llogarishë i padenjë edhe për një fjalorë të rrugës.
Kyçja e çdo burimi institucional për të siguruar informata për ecurinë e procesit të bisedimeve është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie për çështje që paraqesin interes për publikun kurse, aktualisht nuk ka çështje më me interes për publikun se çështja e bisedimeve për normalizim të marëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Duke konsideruar këtë heshtje institucionale si një veprim në kundërshtim me një detyrim dhe kulturë demokratike, KMDLNj –ë dyshon se bisedimet me Serbinë kanë shkuar shumë më larg se atë që iu tregohen publikut dhe se ka rrezik potencial që qytetarët e Kosovës të vëhen para një akti të kryer kur për asgjë nuk do të pyeten dhe për asgjë nuk do të vendosin. Është çasti i fundit që publiku të reagojë shumë më fuqishëm për çështjen e personave të pagjetur duke i bërë presion qeverisë të angazhohet me seriozitet më të madh, të tregojë të vërtetën dhe mundësitë reale që i ka për këtë çështje. Çfarë kuptimi kanë të drejtat e njeriut kur ndryshe flitet, ndryshe veprohet dhe ku kemi mungesë të paimagjinueshme të transparencës dhe llogaridhënies!