Operatori i vetëm në Kosovë për furnizim me energji elektrike i ka bërë kërkesë ZRR – e për shtrenjtimin e energjisë elektrike dikund mbi 54 % kurse, ZRR-e, në vend se të mbrojë intereset e qytetarëve të Kosovës që me vështirësi po i shlyejnë faturat me çmime ekzistuese, të lehtësuara nga subvencionimi i qeverisë së Kosovës, krahasuar me më herët është treguar më i mëshirshëm duke lejuar shtrenjtimin vetëm me 13.4 % që, krahasuar me shumën e kërkuar, duket, në shikim të parë si një përfitim apo subvencion shtesë për qytetarët e Kosovës. Në të njëjtën kohë, Qeveria e Kosovës, duke u mbështetur në “praktikat e mira“ të qeverive të mëparshme ka vazhduar t’ua paguajë rrymën serbëve (dhe të tjerëve) në Veriun e Kosovës duke e zbatuar skajshmërisht të deformuar parimin e diskriminimit pozitiv. Vetëm për vitin 2022 Qeveria e Kosovës, për t’i qetësuar serbët e Veriut të Kosovës e në kurriz të kësaj kanë përfituar edhe të tjerët ka ndarë 63 milionë euro për pagesën e faturave për energji elektrike që e kanë shfrytëzuar dhe keqpërdorur, pa asnjë masë kufizimi, për dallim nga paguesit e rregulltë të faturave poshtë lumit Ibër që iu janë nënshtruar reduktimeve dhe prishjeve të shumta. Qeveria aktuale e Kosovës ka fituar vota me premtime të forta dhe të pakundërshtueshme se më nuk do të paguaj rrymën për serbët e veriut të Kosovës duke sulmuar qeveritë paraprake për këtë. Duket se ka një marrëveshje politike që detyron qeverinë e Kosovës të mbulojë shpenzimet për rrymën e keqpërdorur në Veri të Kosovës, pandershëm dhe pamëshirshëm nga qytetarët sikur, sidomos nga krimi i organizuar për prodhimin e kriptovalutave dhe bimëve narkotike. Veprimi i qeverisë (ve) që dikriminon qytetarët ekskluzivisht në baza etnike është në kundërshtim të plotë me ligjin, me të drejtat e njeriut dhe frymën kushtetuese që garanton mbrojtje nga çdo diskriminim. Qeveria e Kosovës po e bënë pikërisht të kundërtën, po e përligj një diskriminim me arsyetime politike dhe duke sulmuar qeveritë paraprake. Në kohën kur pjesa dërrmuese e qytetarëve të Kosovës presin me ankth çdo rritje të çmimit të energjisë elektrike për faktin se për shkak të inflacionit galopant dhe rritjes tej mase të çmimit të artikujve të domosdodhëm të shportës familjare, qytetarëve në Veri të Kosovës nuk iu bënë fare përshtypje edhe nëse çmimet e rrymës rriten edhe 500 %; asgjë nuk paguajnë, asnjë cent të vetëm dhe gëzohen me problemet me të cilat përballen të tjerët. Në kohën kur KEDS –i, për 10 minuta të vonesës së shlyerjes së faturës, në mënyrë automatike të çkyqin nga rrjeti i furnizimit dhe për rikyqje duhet të paguani para shtesë, serbëve në Veri nuk guxon askush të lexojë njehësorët e rrymës e që janë vendosur nga Elektroserbia që këtë pjesë të Kosovës e trajton sikur të ishte pjesë e Serbisë. Operatori i licencuar nga Artane Rizvanolli, “Elektrosever“, aspak nuk dallon nga Elektroserbia, është pjesë operative e saj. Me asgjë dhe për asgjë nuk iu përgjigjet institucioneve të Kosovës.
KMDLNj –ë kupton dhe përkrah çdo vendim që qytetarët e Kosovës të ndihmohen nga Qeveria e Kosovës qoftë pjesërisht apo edhe përmes shlyerjes së borxheve të grumbulluara që nga përfundimi i luftës, jo sipas parimit etnik por sipas gjendjes ekonomike që e kanë. Në KMDLNj –ë ka raste kur familje skajshmërisht të varfëra, për shkak të pamundësisë së shlyerjes së borxheve të grumbulluara, që nga përfundimi i luftës ua ndërprejnë furnizimin me rrymë duke i kthyer në epokën e gurit. Më heret i dërgonin nëpër gjykata kurse tani i kanë lënë në mëshirën e përmbaruesve duke ua marrë borxhin edhe nga pensionet apo të ardhurat minimale që i kanë e që, e njëjta gjë nuk ndodhë në Veri të Kosovës. Nëse Qeveria e Kosovës ua shlyenë të gjitha borxhet për rrymë, që nga përfundimi i luftës e deri më sot serbëve dhe të tjerëve në Veri të Kosovës (deri vonë edhe në lokacionet tjera ku jetojnë serbët në Kosovë) pse atëherë nuk paska mundësi të bëjë një falje të pjesshme apo të krejt borxhit për familjet që, as nuk kanë pasur mundësi t’i shlyejnë borxhet dhe që, as tani nuk e kanë asnjë mundësi të bëjnë këtë?! Qeveria duhet të jetë e mëshirshme ndaj kategorive të rrezikuara sociale dhe të jetë e pamëshirshme ndaj atyre që kanë mundësi t’i paguajnë borxhet, që shpërdorojnë rrymën të cilën nuk e paguajnë, ta përdorin rrymën për veprimtari kriminale, vetëm për ta ruajtur dhe blerë një qetësi dhe lojalitet politik të cilin, as nuk e kanë pasur e as që do ta kenë. Rritja eventuale e energjisë elektrike sipas rekomandimeve dhe lejes së kusarëve të ZRRE –së, në mënyrë zinxhirore do të rrisë çmimet e artikujve të domosdoshëm dhe shërbimeve që pashmangshëm do të ndikojë në varfërimin e mëtutjeshëm të qytetarëve të Kosovës. Rritja e pamëshirshme, e papërgjegjshme dhe e pamoralshme e tatimit në pronë në masën mbi 100%, nga persona të papërgjegjshëm, ka qenë atentat mbi ekonomitë familjare. Paralajmërimi i rritjes së çmimit për mbledhje të plehrave është ngarkesë shtesë ndonëse KMDLNj –ë mendon se këto shërbime ishin shumë të lira dhe e pamundësojnë punën e kompanive të pastrimit.
KMDLNj –ë e dënon këtë trajtim të pabarabartë dhe diskriminues të qytetarëve të Kosovës, në baza ekskluzivisht etnike për faturat e energjisë elektrike dhe rikujton Qeverinë e Kosovës se, me këtë veprim apo mosveprim, në mënyrë flagrante po ua shkelë të drejtat e njeriut të pjesës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës që e ka bërë të ditur edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Fati që Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës për faktin se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për trajtim diskriminues të qytetarëve në baza, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut do ta penalizonte rëndë Kosovën duke detyruar që të kompensojë qytetarët e Kosovës për plaçkitjen flagrante përmes fryerjes së faturave me të cilat janë mbuluar faturat për serbët në Veri të Kosovës dhe në lokacionet tjera.