Njëri ndër operatorët për furnizim me energji elektrike, KESCO, i bëri kërkesë ZRrE-së për rishqyrtim të tarifave të energjisë elektrike, duke kërkuar rritje prej 21.6 për qind. Mbetet që të shqyrtohen edhe propozimet e operatorëve tjerë që ZRrE të marrë një vendim, pa asnjë dyshim në dobi të operatorëve siç ka vepruar çdoherë dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës si dhe bizneseve, siç ka vepruar çdo herë.
Në të njëjtën kohë, KM kujdestar i Kosovës, Albin Kurti, i zgjedhur për të mbrojtur intereset e qytetarëve dhe bizneseve, duke u tallur me ta është rreshtuar haptas në anën e dhunuesit dhe zhvatësit më të madh të buxhetit të Kosovës si dhe dëmtuesit brutal të bizneseve, ZRrE-së, duke tallur qytetarët se ata duan të nxehen me rrymë dhe ta kenë ngrohtë në dhoma jashtë çdo standardi normal.
Vetëm se nuk tha se qytetarët duan t’i shndërrojnë dhomat e tyre në sauna norvegjeze dhe hamame turke! Edhe bashkëmendimtari i tij ideologjik, Hugo Chávez në Venezuelë, u thoshte qytetarëve të mos kalojnë më shumë se tre minuta nën dush, ndërsa vet mbytej në luks, sikur që e bën edhe Kurti.
KM kujdestar nuk ka as ndjeshmërinë më të vogël ndaj jetës së rënduar ekonomike të qytetarëve, andaj tallet me ta ndërsa mbron ZRrE-në dhe mafianë energjetike.
KMDLNj e kundërshton këtë shtrenjtim të paralajmëruar dhe të sigurt të energjisë elektrike që do t’i varfërojë edhe më shumë qytetarët e varfëruar të Kosovës dhe që do të përshpejtojë falimentimin e shumë bizneseve, edhe ashtu në prag të falimentimit.
KMDLNj thërret qytetarët, bizneset, partitë politike, pozitë dhe opozitë, të kundërshtojnë këtë shtrenjtim të rrymës, aq më parë që me këtë shtrenjtim (plaçkitje) provokohet rritja e të gjithë artikujve ushqimorë dhe të tjerë, si dhe e të gjitha shërbimeve.
Është koha për protesta të fuqishme sociale në mbrojtje të interesit qytetar dhe parandalim të shkatërrimit të bizneseve.
Qytetarët duhet të kërkojnë zhdëmtimin për paratë e vjedhura në periudhën 10-vjeçare përmes fryrjes së faturave.
Është koha që Prokuroria e Shtetit, në përputhje me mandatin ligjor, të hetojë ZRrE-në dhe bashkëhajdutët tjerë për fryrje të këtyre faturave, licencimin e operatorëve të afërt me pushtetin dhe të atyre që kurrë nuk i kompensuan qytetarët për dëmet në pajisje shtëpiake dhe të biznesit, shkaku i reduktimeve të shpeshta apo intensitetit të dobët të rrymës.
KMDLNj ua rikujton qytetarëve se nëse ata nuk duan t’i mbrojnë të drejtat e tyre, askush nuk do t’ua mbrojë ato!
E të drejtat e tyre mbrohen me ligj, e që në rastin konkret qeveria nuk ua mbron për faktin se haptas është rreshtuar në anën e keqbërësit dhe dhunuesit të mirëqenies së tyre, e që është ZRrE.
Organizohuni dhe protestoni në mbrojtje të drejtave që ju takojnë e që po ju mohohen përmes varfërimit të përditshëm!














































