Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive ka reaguar ndaj vendimit të sotëm të ZRRE-së me të cilin do të ketë rritje të çmimit të faturave për energji elektrike prej 15 %.
KMDLNj në reagim thekson se qytetarët e Kosovës, me të drejtë të pakënaqur me këtë paralajmërim të shtrenjtimit të rrymës e që do të përcillet nga ngritja zinxhirore e çmimeve të artikujve tjerë dhe të shërbimeve, nuk duhet të ndalen vetëm me një reagim të çastit në KMDLNj apo te Avokati i Popullit, por duhet të organizohen, përmes aktivizmit qytetar në mbrojtje të interesave të tyre aq më parë që kategoritë e cenueshme; pensionistët, përfituesit e skemave pensionale, veteranët dhe invalidët e luftës, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që nga fillimi i zbatimit për përkrahje financiare, kompensimet apo lëmoshat sociale që i marrin, nuk janë rritur aspak në ndërkohë që çmimet kanë shkuar në qiell.
KMDLNJ u ka bërë thirrje deputeëve që të kundërshtojnë shtrenjtimin e rrymës.
“Deputetët, si përfaqësues të popullit nga edhe e kërkojnë votën dhe e fitojnë të drejtën e përfaqësimit, tash për të gjithë qytetarët e Kosovës, duhet ta kundërshtojnë këtë shtrenjtim, qoftë në kuadër të komisioneve përkatëse të Kuvendit ashtu edhe në seancat parlamentare, pa bërë dallime partiake dhe pa u përpjekur ta kapitalizojnë këtë kundërshtim politikisht”, thuhet në reagim.