Me datë 28.01.2026, Ergin Kervan (1968), komisioner në ekipin e numërimit nga KDTP në Komisionin Komunal Zgjedhor në Prizren, dha këtë deklaratë për Qendrën Rajonale të KMDLNJ-së në Prizren:
“Më kanë telefonuar nga KKZ e Prizrenit një ditë para nisjes së procesit të numërimit. Kam qenë pjesë e ekipit të numërimit, por nuk kam numëruar, vetëm kam bartur, hapur e mbyllur pako me fletëvotime. Unë jam ftuar në ekipin e numërimit pa trajnim paraprak. Madje, pasi që kam mbërritur dhe kemi nisur punën në këtë proces, ma kanë dhënë ID-kartelën. Njëjtë ka ndodhur (pa trajnim dhe pa ID) edhe me anëtarë të tjerë të këtij komisioni. Si mungesë e saj – mos trajnimit – nuk kam qenë në dijeni lidhur me të drejtat dhe përgjegjësitë ligjore.
Në fund, nga zyrtarë të KKZ në Prizren, na është thënë që të nënshkruajmë procesverbalin, si dëshmi dhe me arsyetimin se një pako (kuti) me fletëvotime do të paguhet 25 euro për anëtarët e Komisionit dhe 50 euro për kryesuesin. Dhe për këtë edhe kam nënshkruar, por që nuk kam numëruar asnjë votë. Thjesht kam kryer punë teknike. Kanë qenë, sa më kujtohen, 12 tavolina ku është bërë numërimi dhe nënshkrimin e kam hedhur si formë ‘presioni’ për pagesë. Trajnim, edhe njëherë po them, nuk kam pasur për këtë proces”, ka thënë Kervan.
Ndërkaq, lidhur me rastin e ndalimit 48-orësh, ai ka thënë:
“Jam kontaktuar një ditë më parë me telefon nga policia dhe një ditë më pas, në ora 10:00, jam paraqitur në stacionin policor ‘Alfa’ në Prizren. Edhe para hetuesit kam deklaruar se kam bartur pako dhe kam kryer punë teknike dhe nuk kam pasur asnjë trajnim paraprak. Rreth orës 14:00 na kanë njoftuar se po na dërgojnë në Gjilan (Qendrën e Paraburgimit) dhe deri në ora 19:00 familja nuk ka ditur për vendndodhjen time. Në këtë kohë, një zyrtar policor më ka ofruar telefonin dhe kam telefonuar në shtëpi.
Gjatë qëndrimit 48-orësh në ndalim, nuk kam pasur terapinë adekuate, pasi jam me diabet dhe marr insulinë. E njëjta për dy ditë më ka munguar. Këtë ua kam thënë zyrtarëve të kësaj qendre, por nuk kanë ofruar zgjidhje. Edhe ushqimi nuk ka qenë i përshtatshëm për sëmundjen e diabetit. Dhoma-qelia ka qenë johigjienike dhe kushtet jo të mira.
Ndërkaq, sjellja e zyrtarëve policorë në stacionin ‘Alfa’ dhe në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan ka qenë korrekte. Pas skadimit të afatit 48-orësh, jam liruar bashkë me disa të tjerë. Kam ardhur disi në Prizren, duke mos na sjellë prej nga na morën, por vetëm na i kanë hapur dyert, duke na thënë se jeni të lirë”, ka thënë mes tjerash Ergin Kervan.
Me këtë rast, KMDLNJ kërkon përgjegjësi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, lidhur me mosmbajtjen e trajnimeve adekuate për komisionerë, gjë që ka reflektuar drejtpërdrejt në procesin e numërimit, ku për pasojë kemi devijim të tij, keqpërdorim dhe vjedhje kaq të madhe votash. Komisionerët e pa trajnuar, në këtë rast, nuk mund të amnistohen, por përgjegjësit kryesorë janë zyrtarët e KQZ-së, që nuk e kanë kryer punën me nder, profesionalizëm dhe në zbatim të ligjit për zgjedhjet.
Në vitin 2026, kur Kosova ka kaluar shumë palë zgjedhjesh (lokale dhe qendrore), të mos trajnohen komisionerët është skandaloze. Kjo papërgjegjësi e KQZ-së nuk mund të kalohet në heshtje dhe pa u ndëshkuar në bazë të ligjit. Është pikërisht KQZ-ja që nuk e ka kryer punën si duhet, duke mos bërë trajnimin e komisionerëve (rasti në Prizren). Kjo është reflektuar negativisht te komisionerët dhe vetë procesi i numërimit.
Procesi është lënduar rëndë dhe i është hapur rruga vjedhjes së votave gjithandej, duke zbehur tej mase kredibilitetin e votës!
KMDLNJ kërkon përgjegjësi institucionale nga KQZ-ja, në bazë të ligjit, për këtë devijim të vullnetit qytetar të shprehur me votë, pa përjashtuar edhe përgjegjësinë individuale të komisionerëve.














































