Gjykata Speciale Ndërkombëtare për Kosovën me seli në Hagë, Holandë publikoi dje një listë të personave të vrarë gjatë dhe pas përfundimit të luftës në Kosovë, serbë dhe shqiptarë për të cilët pretendon se përgjegjësi penale kanë Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi ndaj të cilëve ka filluar një proces gjyqësor.
Në pamundësi të ndërtojë një kierarki komaduese ushtarake dhe përgjegjësi politike, Gjykata Speciale Ndërkombëtare ka ndërtuar një skemë duke i akuzuar të arrestuarit se janë pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale e që kanë përgjegjësi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Lista që u botua dje burimin apo origjinën e ka te Sigurimi shtetëror i Serbisë përkatësisht Prokurorisë Speciale për Krime Lufte të Serbisë të cilët, pastaj ia kanë dorëzuar Prokurorisë Speciale në Hagë përkatësisht ish – kryeprokurorit, Jack Smith.
Realisht, në pjesën e redaktuar ka emra të tjerë që Prokuroria i ka kursyer për më vonë. Për aktivistë që janë marrë me krime lufte dhe pasoja të luftës, këta dhe emrat e redaktuar janë të njohur kurse për disa që janë në listën e të vrarëve ka pasur të dyshuar, të arrestuar, të dënuar dhe të liruar. Gjykata Speciale Ndërkombëtare për Kosovën, së bashku me Prokurorinë Speciale që nga fillimi i procesit ka shkelur të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria siç janë përkthimi gjatë paraqitjes para gjykatës, mospërkthimi me kohë apo përkthimi i pjesshëm e materialeve që ka ndikuar që të akuzuarit të mos jenë në gjendje të përgatisin një mbrojtje efektive ashtu siç e parasheh ligji. Mëshehja e materialeve shfajësuese, mospranimi i dëshmitarëve të propozuar nga të akuzuarit dhe mbrojtja, sidomos të politikanëve ndërkombëtarë që kanë shërbyer në Kosovë ishte shkelje që përmbajtësisht pakëson mundësitë për mbrojtje. Kurdisja e dëshmitarëve në bashkëpunim me autoritetet serbe është mbajtur jashtë syve të opinionit për ta mëshehur fragjilitetin e akuzave që mbështetet në burimet e atyre që kanë kryer krime në Kosovë. Deklarimet publike të kryeprokurorit Smith se të akuzuarit mund dhe do të dënohen me burgim të përjetshëm është shkelje flagrante e parimit të prezumimit të pafajësisë dhe me qëllim që të dërgohet një porosi në opinion për rrezikshmërinë dhe kriminalizimin e të akuzaurve, pa një vendim të prerë të gjykatës përkatëse e që nënkuptohet si presion ndaj opinionit dhe gjykatës. Deklaratat akuzuese të kryetares së kësaj Gjykate të Inkuizicionitt Special sipas parimit etnik ndaj të akuzuarve janë të papërgjegjshme, paragjykuese, ndikuese dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut. Kujdesi i pamjaftueshëm shëndetësor, ushqimi që nuk përputhet me nevojat e të burgosurve, mbajtja në veçim i Salih Mustafës janë në kundërshtim me të drejtat që iu takojnë si persona të privuar nga liria. Trajtimi që iu bëhet gjatë vizitave “humanitare“ është degradues dhe shkelë rëndë dinjitetin e të burgosurve. Mbajtja aq gjatë në paraburgim tejkalon afatet e arsyeshme që parashihen me dokumnetet ndërkombëtare për të privuarit nga liria. Krijimi dhe dhënia e monopolit apo ekskluzivitetit për monitorim vetëm për Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Ombudspersonin e Holandës është përjashtues, mosnjohje dhe mospranim i një konteksti kosovar e që për të burgosurit është i mirëseardhur. Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati janë dënuar me dënime kapitale për rrezikim të dëshmitarëve shkaku se paskan bërë përpjekje ta bëjnë të njohur identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe bashkëpunues.
Në anën tjetër, me bërjen publike të emrave të të vrarëve, pa u shqyrtuar gjatë procesit gjyqësorë, qindpërqind rrezikohen jetët e dëshmitarëve për faktin se shumë dëshmitarë janë familjarë të të vrarëve. Duket se qëllimi i Gjykatës Ndërkombëtare Speciale është ky; të vritet ndonjë dëshmitarë apo edhe të kërcënohet në mënyrë që të krijohet alibi për refuzim të çdo kërkese për lirim nga paraburgimi, të vërtetohet fajësia dhe rrezikshmëria e të akuzuarve përmes këtyre incidenteve të mundshme dhe të shkaktohen hasmëri dhe vrasje midis shqiptarëve. Gjithashtu, me theksimin e një rasti ku një deputet i parlamentit qenka kërcënuar me vrasje nga njëri i akuzuar, qëllimi është të përkrahet një luftë brenda subjekteve politike, të vërtetohet se kjo ishte bërë për qëllime politike dhe të ndërlidhet me vrasjet tjera të quajtuar politike, pa asanjë vendim të formës së prerë të gjykatës. Po të dilte dikush nga aktivistët që ka njohuri për këto vrasje dhe ngjarje para se doli Gjykata Ndërkombëtare Speciale për Kosovën në Hagë, përveç bastisjeve dhe konfiskim të materialeve, pa asnjë dyshim do të kishte të arrestuar dhe do të sajohej një proces gjyqësor sikur ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt. Gjykata Speciale Ndërkombëtare për Kosovën në Hagë po e luan një lojë të ulët duke iu përshtatur nevojave dhe proceseve politike, po i shkelë në mënyrë të lakuriquar të drejtat e njeriut duke dhunuar të gjitha ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria. Duhet të jeshë, së paku i marrë e të besoni për një proces të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar politikisht apo grupet e caktuara të ineteresit!