Gjykata Speciale në Hagë po pengon avokatin Artan Qerkini të mbrojë të akuzuarin Fadil Fazliu, ndonëse ai ka qenë i përzgjedhuri i tij dhe i familjes, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
KMDLNj e cilëson këtë si shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe të parimit të mbrojtjes së drejtë në proces gjyqësor.
Reagimi i plotë i KMDLNj-së
FADIL FAZLIUT PO I MOHOHET MBROJTJA NË HAGË !
Në kohën e ish – Jugosllavisë dhe Serbisë , shqiptarët burgoseshin dhe dënoheshin me një nen që quhej : ” propaganda armiqësore ” . Ky nen përshtatej për çdo nevojë politike dhe përdorej për dënim të kundërshtarëve politikë. Gjykata Raciste Speciale në Hagë burgos dhe dënon shqiptarë për një nen që quhet : ” pengim i drejtësisë ” . Është nen që maksimalisht përdoret për të heshtur zërat kundër kësaj Gjykate, skajshmërisht jotransparent , pa asnjë përgjegjësi të llogaridhënies dhe Raciste nga aspekti i të drejtave të njeriut. Formalisht është themeluar nga Kuvendi i Kosovës , faktikisht nuk ka të bëjë asgjë me Kosovën përveç se dhunon , në bashkëpunim me politikanët kosovarë, burgos dhe dënon shqiptarë , kryesisht ushtarë të UÇK – së, ish- të burgosur politikë dhe kundërshtarë të këtij monstrumi juridik.
Të arrestuarit dhe ata që gjykohen kanë të drejtë për mbrojtje juridike , që është edhe e drejtë elementare e njeriut për një proces të drejtë , të paanshëm dhe të pandikuar politikisht dhe nga grupet e interesit gjë që brutalisht dhunohet nga kriminelët juridikë të GJSR dhe bashkëpunëtorët e tyre në Prishtinë. Qeveria e Kosovës ka pakësuar përkrahjen financiare për mbrojtje , nuk ka ofruar me kohë dhe bindshëm garancione për zëvendësimin e masës së arrestit , nuk ka lejuar e as nuk ka kërkuar përgjegjësi për shkelje të rënda të drejtave të njeriut ndaj shtetasve të Kosovës , nuk i ka vizituar në Hagë apo ka bërë vizita selektive dhe ka inkurajuar brenda vendit frymën kundër të burgosurve në Hagë . Një ministre botërisht ka deklaruar se ka bashkëpunuar me GJSR kundër të burgosurve kurse një ministre tjetër dyshohet se ka dërguar dëshmitarë të mbrojtur . Në Hagë është i ashtuquajturi Avokat i Popullit , ndërkombëtar në ndërkohë që Avokatin e Popullit të Kosovës e shpërfillin deri në fyerje. Avokatët mbrojtës janë kryesisht ndërkombëtarë shkaku i përvojës dhe përfitimit marramendës material. Deri më tani jo se kanë ndonjë rezultat që përputhet me premtimet ” elektorale “. Avokatët mbrojtës nga Kosova që nga fillimi nuk janë trajtuar si Avokatët tjerë , kryesisht ishin Avokatët shoqërues.
Gjatë bastisjeve të shumta të eskadroneve të kësaj Gjykate , Avokatët kosovarë ishin ata që shoqëronin , qoftë të bastisur si të dyshuar apo si dëshmitarë. Dhe identifikuan shumë shkelje që u bënë duke i kundërshtuar te adresat e përgjegjësisë në Hagë. Avokati Artan Qerkini ishte i pranishëm në shumë bastisje , si njohës i mirë i procedurave dhe përgjegjësive të GJSR dhe të drejtave të njeriut të personave që u bastisën. Fadil Fazliu , si i arrestuar këmbënguli që Artan Qerkini të jetë Avokat mbrojtës bashkë me një Avokat ndërkombëtar e që GJSR- e bëri përpjekje ta pengojë me të gjitha mjetet e lejuara e sidomos të palejuara ku konfliktin e interesit e përdori si ” argument ” kryesor për ta pamundësuar mbrojtjen efektive , të garantuara me të gjitha dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria. Artan Qerkini i ka fituar disa raste para Gjykatës Kushtetuese të kësaj Gjykate sikur që ka fituar pafajësinë , gjithashtu në disa raste për të mbrojturit e tij. Shkeljet e identifikuara nga Avokati Artan Qerkini nuk janë identifikuar nga asnjë mbrojtës e as nga i ashtuquajturi Avokat i Popullit i GJSR në Hagë. I akuzuari Fadil Fazliu këmbëngulë që për mbrojtës ta ketë avokatin Artan Qerkini, sikur edhe familja e tij ndërsa GJSR në Hagë e pamundëdon këtë duke shkelur brutalisht të drejtat e personit të akuzuar për një proces të drejtë, fer , të pavarur, të paanshëm dhe të pandikuar politikisht dhe nga grupet e interesit. Është e drejtë elementare e njeriut për një të akuzuar që të përcaktohet për avokatin mbrojtës në të cilin ka fituar besimin dhe ia ka dhënë besimin. Nëse pamundësohet bashkëpunimi midis të akuzuarit dhe avokatit për të cilin përcaktohet në bazë të vullnetit dhe besimit , në asnjë mënyrë nuk mund të flitet për një mbrojtje efektive .
KMDLNj e kundërshton këtë vendim përjashtues kundër avokatit Artan Qerkini dhe të mbrojturit Fadil Fazliu , si shkelje brutale e të drejtave të njeriut , shkelje flagrante të etikës profesionale dhe paragjykim të parimit të prezumimit të pafajësisë. Në kohën kur ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës shpërfillen skajshmërisht , nuk tregohet as respekt minimal për Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut e cila , gjithashtu dhunohet brutalisht. Standardi më i lartë i Kombeve të Bashkuara për persona të privuar nga liria, të njohura si Rregullat e Nelson Mendeles , me të cilat mburret se i zbaton kjo Gjykatë në Hagë , në rastin konkret dhe të tjera i ngjajnë një karikature të mbështjellur me një cipë ” demokratike ” ndërsa brenda është e mbushur me një shëmti juridike.