KMDLNJ: Bora Hoti, nxënëse e shkëlqyeshme dhe një talente e jashtëzakonshme në gjimnastikën artistike

0
229

Atë çka nuk arritën ta bëjnë politikanët e Kosovës, sidomos pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 e bënë sportistët nga Kosova edhe në ato vende që nuk e njohën pavarësinë, ngritjen e flamurit gjatë intonimit të himnit pasi fituan medalje në gara të ndryshme ndërkombëtare. Në Kosovën e rrafshuar për tokë nga regjimi i Serbisë, nga hiri i këtyre shkatërrimeve ku ishin edhe të sakrifikuarit për lirinë e Kosovës u ngritën feniksët që, përmes sukseseve në sporte dhe disiplina të ndryshme i nderuan heronjtë e rënë për liri dhe vendin e tyre dhe, në jo pak raste edhe shtetin amë, Shqipërinë. Kontribut të konsiderueshëm në fushën e sportit e dhanë edhe shqiptarët që jetonin dhe jetojnë në shtete të ndryshme të botës duke përfaqësuar Kosovën dhe Shqipërinë.  Akullin e daljes nga izolimi e thyen menjëherë pas përfundimit të luftës basketbollistët të cilët, përkundër kundërshtimeve të Serbisë, me angazhimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës së Basketbollit të Kosovës, z.Artan Qerkini që kërkuan këshilla dhe përkrahje nga KMDLNj -ë arritën të pranohen në FIBA, Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit për të vazhduar pastaj me anëtarësim në FIFA dhe UEFA falë angazhimit të Legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri.

Sportistët nga Kosova, për shkaqe objektive dhe subjektive nuk përkraheshin as minimalisht nga shteti dhe KMDLNj –ë kërkonte që investimi në sport dhe sidomos përkrahja e talenteve, me një të ardhme premtuese të kishte karakter më domethënës për faktin se pikërisht sportistët, duke krijuar ura bashkëpunimi dhe, sidomos me sukseset e tyre ishin përfaqësuesit më të denjë dhe faqja më e ndritur e një vendi që rropatej me probleme të mbijetesës ekonomike dhe politike siç ishte dhe është Kosova. Sportistët e parë që e depërtuan skenën ndërkombëtare duke arritur suksese kulminante dhe të cilët fillimisht nuk përkraheshin fare ishin xhudistët dhe karateistët nga Kosova që trajnoheshin dhe udhëhiqeshin nga Driton Kuka. Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova ishin sportistet që e shpalosën flamurin e Kosovës anekënd rruzullit tokësor, edhe si përfaqësuese të Kosovës e sidomos me medaljet e fituara, kryesisht të arta. Më shumë ka kontribuar në afirmimin e Kosovës Driton Kuka, bashkë me Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën, Distria Krasniqi, Akil Gjakova, Loriana Kuka dhe Flaka Loxha se krejt Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporë. Vetëm pas këtyre sukseseve filloi një përkrahje më e fuqishme duke ndarë bursa dhe duke caktuar shpërblime materiale për çdo medalje të fituar. Më herët KMDLNj –ë e përkrahur nga disa donatorë ndihmonte në subvencionimin e mbështetjes së popullarizimit të sporteve të ndryshme dhe sidomos të talenteve që hapnin rrugën pa përkrahjen e askujt përveç vullnetit dhe entuziazmit që e kishin ndërkaq që vetëbesimin ua forconin kryesisht përkrahja e familjes kur kishin mundësi.

Kosova ka shumë talentë që po e sfidojnë veten dhe kundërshtarët, përfaqësues të shteteve shumë të fuqishme dhe me një reputacion të pakundërshtueshëm në këto sporte ku talentët kosovarë po e shtrojnë rrugën e afirmimit personal, kombëtar dhe shtetëror duke kaluar vuajtjet e Tantalit, me përkrahje simbolike materiale duke u mbështetur vetëm në vullnetin e tyre, dashurinë për sportin, këmbëngulësinë dhe mentalitetin e mosdorëzimit para asnjë pengese.

Një talente e jashtëzakonshme, Yll fare në galaktikën e garave ndërkombëtare është edhe Bora Hoti, vetëm 12 vjeçe, nxënëse e shkëlqyeshme e shkollës fillore “Pavarësia“ në Lagjen e Spitalit në Prishtinë. Ajo i ka hyrë një sfide që për kundërshtar ka garues të shteteve që, për vite të tëra kanë monopol absolut në këtë sport, Gjimnastikë Artistike siç janë Kina, Japonia dhe Rusia e që afërsisht kanë 2 miliardë banorë. Kosova nuk i ka as 2 milionë të plotë.

Bora Hoti merret me Gjimnastikë Artistike për femra në kuadër të klubit “ELITA“ në Prishtinë, që ushtrimet dhe garat i mbajnë në Pallatin e Rinisë në Prishtinë ku kushtet nuk janë as të përafërta me ato që duhen për një sportist që ka synime por edhe rezultate kulminante siç i ka Bora. Ajo, gjithashtu ushtron në një sallë private nën përkujdesjen dhe përkushtimin e çiftit të trajnerëve, Abeliana Bregu dhe Shkumbin Maçastena. Përkundër vështirësive të mëdha, pengesave të shumta, mungesës së përkrahjes së mjaftueshme financiare, konkurrencës së jashtëzakonshme, problemit të pajisjes me viza dhe detyrimeve ndaj shkollës, Bora ka marrë pjesë në shumë gara ndërkombëtare duke e përfaqësuar denjësisht Kosovën dhe duke fituar medalje të shumta për grup moshat që i takon. Bora ka marrë pjesë në gara ndërkombëtare në Itali, Slloveni, Turqi, Portugali dhe Gjermani sikur që nga Federata ka qenë e përzgjedhur të marrë pjesë në Kampin 10 – ditor të Federatës së Gjimnastikës Evropiane  në Finlandë,  me trajner të nivelit botëror  (2021), 10 ditë në Kampin stërvitor në Izmir (Turqi) në vitin 2022 dhe, gjithashtu në vitin 2022 në Kampin stërvitor të Qendrës përgatitore olimpike në Tirrenia, Pisa, Itali.

Në turneun ndërkombëtar të Gjimnastikës Artistike “Gaia – IT 2022“ në Porto, Portugali, Bora Hoti ka fituar vende të para, në Akrobaci dhe Kapërcim. Për pjesëmarrje në këto gara është mbështetur nga MKRS –ë. Nga data 8-12 dhjetor 2022 ka marrë pjesë në Turneun Ndërkombëtar të Gjimnastikës Artistike “Gymfinity International Invites 2022“ në Grünstadt, Gjermani ku ka fituar medalje ari në Akrobaci dhe medalje të argjend në Kapërcime. Edhe në këtë rast është përkrahur nga MKRS –ë. Në fund të vitit 2022 Federata e Kosovës për Gjimnastikë ka organizuar gara për kupë për Gjimnastikë Artistike për Femra ku Bora Hoti, në kategoritë para – pioniere fitoi vendin e parë në katër disiplina.

Bora Hoti është shpallur Gjimnasistja më e mirë artistike në Kosovë për vitet 2017, 2018 dhe 2021 dhe Gjimnastja më e mirë artistike e Qytetit të Prishtinës për vitin 2021. Këto janë rezultate impozante të një talenteje të jashtëzakonshme, në një sport që nuk ka ndonjë traditë në Kosovë shkaku se mbizotërohet nga shtete shumë të fuqishme që nuk pyesin për çmim që duhet investuar, me një moshë njomëzake, në kushte aspak në përputhje me nevojat përveç përkrahjes simbolike institucionale dhe mbështetjes kryesisht nga familja dhe miqtë, Bora Hoti meriton që, përveç admirimit të ketë edhe përkrahje të rregullt institucionale sikur që e kanë sportistët e dëshmuar që kanë fituar shumë medalje duke e përfaqësuar Kosovën në mënyrë dinjitoze. Bora Hoti është një margaritar që premton shumë, që duhet ta kultivojmë si vlerë, ta përkrahim dhe t’i ndihmojmë nëse e duam për Kosovën, ndryshe mund të garojë për një shtet tjetër, besoj Shqipërinë, në radhë të parë. Ajo duhet të stimulohet sikur sportistët tjerë, në përputhje me rezultatet e arritura (medaljet e fituara) sikur që duhet t’i ndahet një bursë në mënyrë që, në kohën kur t’i plotësojë kushtet të merr pjesë në kampionatet botërore, evropiane dhe Olimpiadë ku, nëse e përcjellë këtë tempo të zhvillimit dhe të rezultateve, do të jetë krenaria e Kosovës dhe përkrahësve të kësaj disipline të Gjimnastikës, pavarësisht vendit. E tillë ishte edhe Nadia Komaneçi e Rumanisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here