Klauzola interesante e Sir Alex Ferguson në kontratën e tij

0
46

Sir Alex Ferguson vendosi një klauzolë të zgjuar në kontratën e tij me Manchester United, e cila siguronte që asnjë lojtar – madje as ylli më i madh i ekipit – të mos paguhej më shumë se ai gjatë viteve të fundit si trajner.

Historia fillon më 20 tetor 2010, kur Wayne Rooney vuri në dyshim ambicien e United dhe aftësinë e tyre për të tërhequr lojtarët më të mirë që nevojiten për të fituar trofe madhorë.

Në atë kohë, Rooney shprehu dëshirën e tij për të lënë Old Trafford, gjë që e zemëroi Sir Alex Ferguson, i cili e akuzoi sulmuesin anglez për mungesë respekti ndaj klubit.

“Jam i zhgënjyer, shumë i zhgënjyer, nuk mund ta besoj,” tha Ferguson asokohe.

“Ai na kishte thënë se ishte i lumtur në klub, se ishte në klubin më të mirë në botë, kështu që më duhet të them se ishte shumë zhgënjyese të merrje një lajm të tillë, sepse nuk mund ta kuptoj”.

Dy ditë më vonë, Rooney bëri një kthesë të papritur dhe nënshkroi një kontratë të re pesëvjeçare, e cila e bëri atë lojtarin më të paguar në historinë e klubit, duke dyfishuar pagën e tij në rreth 180,000 funte në javë.

Por në këtë periudhë, Ferguson siguroi që paga e tij të ishte më e lartë se ajo e Rooney. Në librin e tij të vitit 2015, Leading, ish-trajneri i United foli për situatën me kontratën.

“U thashë atyre se nuk e mendoja të drejtë që Rooney të fitonte dyfishin e asaj që fitoja unë. Joel Glazer tha: ‘Jam plotësisht dakord, por çfarë duhet të bëjmë?’. Ishte e thjeshtë. Thjesht ramë dakord që asnjë lojtar të mos paguhej më shumë se unë”, shkroi ai.

Skocezi nuk i lejoi kurrë lojtarët e tij të mendonin se ishin më të mëdhenj se klubi, ndaj siguroi që askush – dhe kur them askush, e kam fjalën askush – të mos paguhej më shumë se ai.

Më shumë se 13 vjet më vonë, Rooney pranoi se marrëdhënia e tij me Ferguson nuk ishte kurrë e njëjtë pas asaj situate.

“Kur paraqita kërkesën për transferim [për të lënë Manchester United], ende flisja me David Gill për drejtimin që klubi po merrte, për mënyrën se si do të përparonin”, tha ai gjatë një episodi të podcast-it Stick to Football, nga SkyBet.

“Tani që jam vetë trajner dhe shoh prapa, ndoshta ishte gjë e gabuar për ta bërë. Por në atë kohë, ndihesha sikur ishte gjëja e duhur për të marrë siguri për karrierën time”.

“Pasi David [Gill] shpjegoi çfarë po bënte klubi, thashë: ‘Në rregull – kjo është gjithçka që menaxheri duhej të thoshte. Kjo është gjithçka që klubi duhej të më tregonte’, dhe pastaj nënshkrova kontratën e re”.

“Sa i përket marrëdhënies me trajnerin [Sir Alex Ferguson], sigurisht që nuk ishte kurrë e njëjtë”, shkroi ai.

“Ajo që ndoshta e lëndoi më shumë ishte fakti që ata sapo kishin shitur Carlos Tevez, sapo kishin shitur Cristiano Ronaldo dhe ndoshta nuk mund të përballonin të më linin të ikja”. /GazetaExpress/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here