Shqipëria mbylli muajin nëntor me dy ndeshje, ato ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, sfida të vlefshme për kualifikueset e Euro 2024. Kuqezinjtë morën dy barazime në këto përballje duke arritur objektivin për t’u kualifikuar në Kampionatin Europian që zhvillohet vitin e ardhshëm në Gjermani, madje duke u renditur si të parët në Grupin E duke lënë pas Çekinë.
Megjithatë, kualifikimi i arritur nëpërmjet dy barazimeve ka ndikuar në pozitat e kombëtares sa i takon klasifikimit në FIFA. Të besuarit e Sylvinhos kanë humbur tre pozicione për muajin nëntor dhe nga hera e fundit që renditeshin në vendin e 59-të, tashmë mbajnë vendin e 62.
Nga ana tjetër, ajo që përfiton plot katër pozicione është Kosova. Dardanët në nëntor fituan me Izraelin, barazuan me Zvicrën dhe humbën me Bjellorusinë. Kështu, Kosova nga vendi i 105, tashmë ka kaluar në vendin e 101.
Ndërkohë, nuk ndryshon klasifikimi sa i takon kryesuesve të listës teksa vendi i parë mbetet pronë e Argjentinës që ndiqet nga Franca dhe Anglia. Në dhjetëshen e parë renditen edhe Belgjika, Brazili, Holanda, Portugalia, Spanja, Italia dhe Kroacia./SS