Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka treguar se KFOR-i ka refuzuar kërkesën e Serbisë për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.
Vuçiq në një intervistë për “TV Pink”, ka njoftuar se KFOR-i ka thënë se nuk beson se ka nevojë për kthimin e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës.
“Në letrën e tyre të përpiluar me kujdes drejtuar Qeverisë së Serbisë, të cilën e kam marrë edhe unë, ata janë përgjigjur se besojnë se nuk ka nevojë për kthimin e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës e M., duke iu referuar Rezolutës 1244. Por, ata nuk i janë referuar pjesës së Rezolutës, pasi nuk kanë të drejtë të refuzojnë kërkesën. Ata i janë thirrur normës për të ruajtur rendin. Kanë bërë një gabim tjetër”, ka thënë Vuçiq.
Vuçiq thotë se është shkruar në letër se po përcjellin me kujdes se “çfarë po ndodh në veri”. Ai ka folur për plagosjen e dy serbëve në Shtërpcë nga një pjesëtar i FSK-së.
“Nuk është puna e juaj të shqetësoheni për barrikadat në veri, por për të gjithë serbët në Kosovë e M. Udhëheqja e tyre brengoset për zgjidhje politike, për anëtarët e NATO-s që kanë organizuar gjithë këtë, dhe jo për sigurinë reale. Ata janë vetëm vegla politike në duart e fuqive më të mëdha perëndimore dhe do ta shohim se cila do të jetë përgjigja jonë. Do të presim, dhe do të tregojmë edhe në cilat vende nuk mbrojtën jetën e serbëve. Si djalin Stevan Tomiq në Kllokot, e të mos flasim për djalin Stefan Stojanoviq. Fushata e përkrahjes për Kurtajn, sikur qëlloi aksidentalisht fëmijën”, ka thënë Vuçiq.
Vuçiq thotë se asnjë nga zyrtarët nuk i ka dërguar mesazh se është tmerruar nga sulmi ndaj fëmijëve, ndërsa thotë se kishte marrë 11 mesazhe nga ambasadorët për politikanen Rada Trajkoviq, që ishte ndaluar në pikën kufitare në Merdar.
“Plagosja e dy djemve serbë nuk i sëmuri ata. Kjo flet për të gjithë ata dhe qëndrimin e tyre ndaj popullit serb. Nuk prisja përgjigje ndryshe nga KFOR-i. Pyetja është nëse do të shkohet në seancë të Këshillit të Sigurimit”, ka thë ë Vuçiq. “Në vendin tonë janë dy grupe që po bëjnë presion për Kosovën e M. Ka të ashtuquajtur patriotë, që bëjnë vetëm probleme për vendin e tyre. Ata do të kërkojnë seancë në Këshillin e Sigurimit. Shkojmë nesër, në rregull do të na mbështesin rusët. E pastaj çfarë të bëjmë? Atë seancë do të votohet të mos kthehet ushtria e policia serbe. Çfarë të bëjmë pas kësaj? Atë seancë t’ia lëmë Kurtit të komentojë se si edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së refuzoi kërkesën tonë”.
Presidenti i serb ka thënë se në vitin 2010, disa politikanë serbë, “për shkak të popullaritetit të tyre, kërkuan mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, dhe se nuk e dimë se çfarë ka ndodhur atje”.
“Çfarë do të bëjmë nëse shkojmë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së? Çfarë do të marrim nëse atje votojnë se ushtria jonë nuk mund të kthehet? Ta lëmë si mundësi që Kurti ta shfrytëzojë për vete?” – ka thënë Vuçiq. “Ne do të vazhdojmë luftën tonë dhe nuk do të jetë e lehtë për ta që të na përgjigjen në pyetjet tona”.
Vuçiq ka folur “për periudhë të vështirë për Serbinë”. Ai ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për rastin e plagosjes së dy serbëve të rinj në Shtërpcë.
“Kemi një periudhë të vështirë përpara, do të luftojmë. Problemet do të vazhdojnë për ne, e gjithë kjo është rezultat i atmosferës së krijuar nga regjimi i Kurtit. Kjo nuk ndodhi nga paqja e pastër, ai nuk u çmend nga paqja e pastër, nuk ka dyshime se ky është rezultat i asaj që bëri Kurti”, tha Vuçiq.
Vuçiq ka thënë se të enjten do ta ketë një takim të rëndësishëm me këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Përfaqësues të KFOR-it kanë dorëzuar përgjigjen ndaj kërkesës së Serbisë të premten në pikëkalimin kufitar të Merdarit. /Koha.net/