Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës të hënën vendosi me më shumë se 2/3 e votave të shteteve anëtare në favor të përmbylljes së etapës së parë të anëtarësimit të Kosovës, duke ia kaluar kërkesën për anëtarësim Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Por, jo të gjitha shtetet votuan pro hapit të parë të Kosovës për rrugën drejt KiE.
Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, gjatë ditës tha se shtetet si Azerbajxhani, Qipro, Gjeorgjia, Hungaria, Rumania, Serbia dhe Spanja votuan kundër Kosovës.
Prej shteteve që e kanë njohur Kosovën kundër ishte Hungaria që drejtohet nga kryeministri Viktor Orban.
Siç tha Bajrami kanë abstenuar Bosnja dhe Hercegovina, Greqia, Moldavia, Sllovakia dhe Ukraina. Ndërsa, nuk ka votuar fare Armenia.
Kosova ka kaluar etapën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Këtë e bëri të ditur ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila e quajti hap historik dhe më të rëndësishmin pas pavarësisë së vendit.
“Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, i cili përfaqëson 46 shtetet anëtare, në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave sapo mori vendimin që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës. Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë”, deklaroi ajo.
Kosova e kishte dorëzuar aplikimin për në KiE më 12 maj të vitit të kaluar.