Këta janë tre të arrestuarit për rrëmbimin e 20-vjeçarit në Prizren

0
172
Foto: Ilustrim

Një rast i rëndë i privimit të kundërligjshëm të lirisë është raportuar në fshatin Paranë, Prizren, ku katër persona dyshohet se kanë rrëmbyer një të ri, duke e futur me forcë në veturë, e më pas duke e liruar me lëndime të dukshme.

Ngjarja ka ndodhur më 24.01.2026, rreth orës 11:52, ndërsa burimet bëjnë të ditur se viktima është B. Gashi 20 vjeçar.

Sipas informacioneve, katër persona – meshkuj kosovarë, njëri prej tyre i mitur – dyshohet se me forcë e kanë futur viktimën në një veturë të tipit “Seat” me targa vendore, për ta mbajtur për rreth një orë, para se ta lironin sërish.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se motivi i dyshuar i këtij rasti lidhet me faktin se viktima kishte pasur më herët kontakt në rrjetin social snapchat me një vajzë, e cila dyshohet të jetë nga Peja.

Pas lirimit, viktima ka pësuar lëndime të dukshme, ndërsa i është ofruar tretman mjekësor dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal në Prizren, ku më pas është intervistuar dhe është dërguar në shtëpi.

Në lidhje me rastin, njësitet policore kanë ndërmarrë veprime operative dhe kanë arrestuar katër të dyshuarit, të cilët janë:

                •             Jashar Mamusha (21-vjeçar)

                •             Husein Berisha (34-vjeçar)

                •             Faruk Berisha (37-vjeçar)

                •             J.M. (2009) (i mitur)

Gjatë hetimit janë sekuestruar si prova materiale:

                •             vetura Seat Arona (që dyshohet se është përdorur në rast)

                •             4 telefona

                •             1 elektroshok

Të dyshuarit janë intervistuar në zyrat e NJHP Prizren, në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit:

Jashar Mamusha, Husein Berisha dhe Faruk Berisha janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari i mitur J.M. (17-vjeçar) është liruar në procedurë të rregullt dhe është dorëzuar te familjarët

Rasti po vazhdon të trajtohet nga njësitet kompetente, ndërsa pritet që hetimet të zbardhin plotësisht rrethanat dhe rolin e secilit të dyshuar në këtë ngjarje./Gazeta Sinjali/

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here