Një operacion i gjerë policor është zhvilluar në Prizren, ku janë arrestuar Muhamer Mahmuti dhe Inan Mahmuti, të dyshuar për kultivim të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.
Ngjarja ka ndodhur më 2 prill, në orët e para pas mesnate, kur njësitë relevante policore, pas hetimeve të zhvilluara dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, kanë ndërhyrë në një shtëpi në rrugën “Enver Hadri”, siç mëson ekskluzivisht Sinjali.
Gjatë kontrollit, brenda objektit është hasur dhe arrestuar i dyshuari Muhamer Mahmuti, ndërsa është vërejtur se pajisjet për kultivim po çmontoheshin.
Bastisjet janë zgjeruar edhe në disa lokacione tjera në Prizren, ku është arrestuar edhe i dyshuari tjetër, Inan Mahmuti.
Në këto lokacione janë gjetur dhe sekuestruar pajisje të shumta për kultivim, një bimë kanabisi, substanca të dyshuara narkotike, një armë zjarri me municion, si dhe automjete.
Burimet bëjnë me dije se të dyshuarit paraprakisht kanë asgjësuar rreth 300 bimë kanabisi duke i djegur në një lokacion në afërsi të autostradës.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë./Gazeta Sinjali/














































