Këshilli i Prindërve i Kosovës i kërkon Nagavcit zgjidhje të shpejtë për librat: Nëse jo, shqyrtojmë tjera veprime

0
267
Foto: Arkiva

Këshilli i Prindërve i Kosovës i ka kërkuar ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit, që të sigurohet që fëmijët të furnizohen me libra shkollorë para nisjes së procesit mësimor, pra 1 shtatorit; në të kundërtën, kanë paralajmëruar “veprime të tjera”.

KPP ka njoftuar se sot kanë mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën është diskutuar edhe debati mbi furnizimin me libra, me ç’rast kanë theksuar shqetësimin e tyre se ideja e MASHT mund të mos funksionojë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Kjo metodë mund të dështoj kur dihet se shumë prindër nuk kanë llogari në platformën e-Kosova, apo edhe kanë probleme me përdorimin dhe qasjen në pajisje të TI-së; Po ashtu, problem tjetër i identifikuar është mos posedimi i llogarive bankare”, thuhet në njoftim.

Ata kanë kërkuar zgjidhje të shpejtë dhe praktike të këtij problemi, ose në të kundërtën parashohin veprime të tjera sipas nevojës.

“Nëse nuk sigurohen librat me kohë, nga Ministria e Arsimit sikur vitet paraprake, Këshilli i Prindërve të Prishtinës do të shqyrtoj veprime tjera konform situatës së krijuar!”, përfundon njoftimi i KPP-së.

Ndërkohë, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se nesër pasdite ose të enjten në mëngjes jepet verdikti përfundimtar lidhur me furnizimin me libra.

“Përfundimisht Qeveria do të sigurojë tekstet për fëmijët duke marrë përsipër të gjitha obligimet financiare sipas ligjit. Jemi duke e shqyrtuar, jemi me gjithçka gati. Vendimin përfundimtar do ta bëjmë publik nesër pasdite apo të enjten në mëngjes”, tha për RTK-në, ministrja Nagavci. /Reporteri.net/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here