Kërkohet të shtyhet vendimi i ZRRE-së për kalimin e bizneseve në treg të lirë

0
80

Oda Ekonomike e Kosovës i ka kërkuar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që ta shtyjë vendimin për kalimin e bizneseve të mëdha në treg të lirë, duke thënë se bizneset janë të papërgatitura.

Kryetari i Odës, Lulzim Rafuna, ka deklaruar të hënën në “60 Minuta” të KTV-së se kriteret që bizneset me mbi 50 punëtorë dhe mbi 10 milionë euro qarkullim të kalojnë në treg të hapur, nuk janë të drejta dhe duhet të ndërrohen.

“Nuk është momenti që bizneset të kalojnë në treg të lirë…Kërkesa është që të kenë 1 vit kohë të përgatiten, pasi kanë shumë kontrata të lidhura. Për momentin rrethanat janë që çmimi është i lartë dhe do të ketë efekt deri te konsumatori kjo rritja e çmimit. Kërkesa e bizneseve është që të ju jepni më shumë kohë, e nëse s’ka mundësi të shtyhet për një vit, së paku të gjendet një zgjidhje te sektori prodhues dhe të mundohet që biznesi ta kalojë sa më lehtë këtë sfidë”, ka thënë Rafuna.

Rafuna iu ka bërë thirrje partive politike që sa më parë t’i formojnë institucionet, pasi sipas tij, duhet që të adresohen kërkesat për ndryshime nligjore, në mënyrë që kriteret që bizneset të kalojnë në treg të lirë të ndryshojnë.

“Kemi shumë biznese që sapo kanë filluar, janë start-up dhe i kanë 50 punëtorë. Kjo do të ishte një barrë e rëndë për ta pasi s’kanë kapacitete që të merren me çështjen e bursave dhe këto s’duhet të jenë kushte, por të caktohen në formë me bizneset një limit i sasisë së shpenzimit të energjisë, e pastaj të dalin në treg të lirë. Kjo do të ishte më logjike dhe më fer”, ka shtuar ai.

Sipas Rafunës, bizneset kosovare ende s’kanë arritur që t’i kenë 1 miliard euro eksport, ndërsa shtoi se importi ka kaluar shifrën prej 6 miliardë eurove.

 “Ne me këtë po i sfidojmë bizneset, përkundër shumë sfidave që kemi…Me këtë qytetarët do të përballen me çmime të larta, por bizneset nuk e kanë të sigurt se do të furnizohen me sasi të energjisë elektrike pa ndërprerje”, ka thënë ai.

Ndërsa, njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka thënë se kriteret e vendosura për bizneset janë arbitrare. Ai ka thënë se kjo është vazhdimësi e politikave pa informacione dhe pa të dhëna, duke shtuar se sektori energjetik në Kosovë është pranë kolapsit.

“Ne po flasim për rritje të kostos, por po harrojmë që kemi një sistem elektroenergjetik në prag të kolapsit. Duhet të bëjmë ndryshime. Sektori energjetik po vuan nga mungesa e ndryshimeve…Nëse bizneset kalojnë në treg të lirë, s’mund t’ju garantohet që do të kenë furnizim të plotë me energji. Këtu do të hapen edhe disa plage të tjera që as ZRRE-ja s’i di. Çka nëse rryma që është blerë, kur vjen në kufi s’mund të bartet te konsumatori. Kush do ta paguajë?”, ka deklaruar ai.

Haxhimusa u shpreh që vendimi i ZRRE-së për bizneset me mbi 5 punëtorë duhet të shtyhet, duke shtuar se duhet t’iu jepet kohë për përgatitje./Koha

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here