Kërkohet njohja e Kosovës para formimit të Asociacionit

0
204

Në kohën kur po bëhet presion ndaj Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, profesorë universitarë të fushës politike, thonë se Kosova duhet të shfrytëzojë këtë rast që të kërkojë nga Serbia të njohë Kosovën dhe ta heqë atë nga preambula e Kushtetutës së saj. Ata thonë se Asociacioni duhet të bëhet në përputhje të Kushtetutës së Kosovës.

Pas arritjes së marrëveshjeve të fundit në Bruksel dhe Ohër, bashkësia ndërkombëtare po vazhdon të bëjë presion ndaj Kosovës që të themelohet sa më shpejt Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Por, profesorët universitarë thonë se edhe Kosova duhet të kushtëzojë Serbinë për njohje reciproke, para se të themelohet Asociacioni.

Profesori universitar, Dritëro Arfi, tha për Radio Kosovën se problemi është që kur Qeveria e Kosovës i ka nënshkruar marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit, nuk është diskutuar kjo çështje. Sipas profesor Arifit, Qeverisë së Kosovës i mungon një strategji serioze për të këmbëngulur një njohje reciproke.

“Kjo duhet të bëhet nëse ne e kemi një draft serioz, jo draftvizion, por draft që të duket brenda Kushtetutës së Kosovës një asociacion i komunave serbe. Pra, duhet t’u dorëzohet drafti partnerëve ndërkombëtarë dhe të thuhet që ky draft hyn në fuqi në momentin që Serbia e njeh Kosovën ose minimumi që Serbia të largojë Kosovën nga kushtetuta e saj”, tha Arifi.

Ndërsa, profesori i Shkencave Politike, Nexhmedin Spahiu, tha për Radio Kosovën se me fillimin e zbatimit të planit franko-gjerman, i cili de fakto nënkupton njohjen nga Serbia, atëherë automatikisht kjo e zhbën edhe dispozitën që Kosova është pjesë e Serbisë.

“Në momentin që Serbia hap ambasadën e saj në Prishtinë dhe përkatësisht Kosova hap ambasadën e saj në Beograd, kjo përben marrëveshjen ndërkombëtare, që prevalon kushtetutën e zhbën atë automatikisht. Kështu që në momentin kur ndodh kjo gjë, atëherë Serbia veç e ka njohur Kosovën de fakto dhe de jure”, tha Spahiu.

Ndërkohë, edhe nga faktori ndërkombëtar ka pasur zëra që Serbia të largojë nga Kushtetuta e saj Kosovën, por, kjo nuk është pranuar asnjëherë nga udhëheqësit e shtetit serb, madje presidenti Aleksandër Vuçiq, ditë më parë tha se Kosova do të jetë pjesë e Serbisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here