Kërkesa e shefes së BE-së për Kosovën dhe Serbinë që t’i kthehen dialogut: E vetmja mënyrë dhe rrugë e duhur

0
128

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi të dielën në Tiranë se Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në dialog për t’i normalizuar marrëdhëniet mes tyre.

Zyrtarja e lartë evropiane ka mbërritur në Shqipëri një ditë para nisjes së samitit të Procesit të Berlinit, që për herë të parë zhvillohet në një nga vendet e rajonit.

E pyetur se çfarë ndodh me Marrëveshjen e Ohrit – të arritur në mars mes Kosovës dhe Serbisë – pas sulmit të 24 shtator në Banjskë të Kosovës, Ursula von der Leyen tha se ajo është rruga ku duhet ecur drejt Bashkimit Evropian.

“Marrëveshja e Ohrit është baza, themeli për pajtimin përmes dialogut të BE-së. Është me rëndësi që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezë për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo është e vetmja mënyrë, përmes angazhimit, përmes dialogut, sepse kjo është rruga e duhur për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ajo.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, dhe homologia e tij serbe Ana Bërnabiq, do të ulen të hënën në një tryezë për herë të parë pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë sulm, dhe ka prezantuar prova, që sipas saj e vërtetojnë këtë pretendim, mirëpo Serbia i ka hedhur poshtë ato.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se situata e krijuar mes dy vendeve do të diskutohet gjatë drekës së punës së liderëve pjesëmarrës, por shtoi se askush nuk duhet të presë zgjidhje nga ky samit.

“Procesi i Berlinit lidhet me nxitjen e vazhdueshme të të gjitha vendeve të rajonit drejt katër lirive të BE-së, lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve. Tipikisht ky proces nuk është vendi për zgjidhjen e çështjeve bilaterale. Por, në programin e Samitit, dreka e punës e liderëve, do t’iu kushtohet edhe marrëdhënieve fqinjësore në rajon. Hapësira për diskutim të hapur mes të pranishmëve, është e programuar, por nuk është një samit, i cili merr përsipër të gjejë zgjidhje për probleme, që janë probleme që trajtohen dhe zgjidhen nën ombrellën e BE-së”, tha kryeministri Edi Rama.

Gjatë konferencës së përbashkët për mediat, kryeministri shqiptar, Edi Rama tha se presidentja e KE-së “ka ardhur në Tiranë për të paraqitur një plan të ri që do ta ndihmojë shumë Ballkanin Perëndimor dhe vendin tonë që të ecin më shpejt drejt BE-së”.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se ky plan i ri ekonomik do të përshpejtojë procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor duke përfshirë integrimin ekonomik.

“Ky plan ka potencial nëse vihet në zbatim siç duhet, ka mundësinë të dyfishojë madhësinë e ekonomisë tuaj brenda këtij 10-vjeçari. Parimi është që në disa fusha të caktuara ju do të keni qasje në tregun e përbashkët të BE-së, por për këtë janë të nevojshme reformat dhe reformat do të shoqërohen me investime. Kështu hapet dera për tregun tonë, për tregun e përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor. Natyrisht kjo do të shoqërohet me investime financiare por natyrisht reformat do të jenë të domosdoshme”, tha Von der Leyen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here