Kërcet grushti mes të rinjve në Prizren: Gjashtë persona përfshihen në rrahje, shkak një problem i mëhershëm

0
1108
Foto: Ilustrim

Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Nazim Buduri” në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë herë në rrahje janë përfshirë gjashtë persona, që dyshohet se u kapën për shkak të një mosmarrëveshje që disa prej tyre kishin me viktimën, të cilin e rrahën në vendin ku ai punon, ku tentuan t’i qërojnë hesapet.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se fillimisht i dyshuari kryesor bashkë me tre shokë të tij, e sulmuan fizikisht viktimën 31-vjeçar, të cilit i shkuan deri te vendi i punës për shkak të një problemi të mëhershëm, që kishin pasur mes vete.

Sinjali mëson se derisa të dyshuarit po ushtronin dhunë ndaj të riut, atij i dolën në ndihmë dy familjarë të tij, që u përfshinë në përleshje dhe për pasojë u futën në telashe edhe ata.

Posa rasti është denoncuar në Polici, një njësi policore ka intervenuar në vendin e ngjarjes, bashkë me Autoambulancën, me ç’rast viktima mori trajtimin mjekësor, ndërkohë katër prej të dyshuarve u dorëzuan në stacion policor.

Ndërkohë, dy të dyshuarit e tjerë, të afërt me viktimën janë shpallur në kërkim nga Policia dhe akoma nuk është lokalizuar vendndodhja e tyre.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit ndaj të dyshuarit kryesorë, i cili edhe në stacion tentoi ta sulmojë sërish viktimën. I njëjti do të hetohet për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here