Ndërmarrësit dhe pronarët e bizneseve të ndryshme në Kosovë jo rrallëherë e shohin konkurrencën si pengesë për të qenë të parët në treg. Për pasojë, shpeshherë përfshihen në incidente të ndryshme, që eskalojnë edhe në përleshje, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur edhe pasditen e sotme (Lexo: Dje) në rrugën “Adem Jashari”, ku gjenden pothuajse të gjitha lokalet që merren me argjendari. Pronarët e dy prej tyre janë futur në sherr dhe motiv dyshohet të ketë qenë konkurrenca.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se të dyshuar janë tre anëtarë të familjes Sharku, pronarë të një argjendarie, të cilët po dyshohen se kanë nisur sherrin me pronarët e një argjendarie tjetër. Sipas informacioneve të para, konflikti fillimisht nisi me kanosje e më pas kaloi në dhunë fizike, ku u përfshinë të gjithë dhe për pasojë morën lëndime trupore.
Sinjali mëson se të njëjtit janë dërguar menjëherë në spital për trajtim mjekësor, ndërsa më pas janë shoqëruar në stacion policor për intervistim. Të njëjtit kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me rastin për të cilin mollë sherri ishte konkurrenca mes dy biznese që operojnë afër njëra-tjetrës.
Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tre të dyshuarve të familjes Sharku të iniciohet rasti për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”./Sinjali