Zyrtarët shtetërorë, duke përfshirë edhe pozita të larta shpeshherë kanë qenë cak i kërcënimeve nga persona e grupe të ndryshme dhe për pasojë kanë kërkuar ndihmë e mbrojtje nga Policia. Për një rast të tillë tashmë ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas denoncimit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se Haxhiu është kërcënuar nga një person përmes rrjetit social “Instagram”, në një postim që ajo kishte bërë në këtë platformë.
Posa Policia është vënë në dijeni për rastin, ka arritur që ta arrestojë ta identifikojë të dyshuarin dhe i njëjti është arrestuar gjatë ditës së sotme.
Siç mëson Sinjali, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohet dhe motivin që e ka shtyrë për kërcënimin e ministres Haxhiu.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Kanosje”.