Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, derisa u deklarua në Kuvend të Kosovës për rritjen e çmimit të Energjisë, gjatë këtij diskutimi ka kujtuar disa çështje që për to janë pasqyrë reale për vendin.
Rizvanolli tha se Kosova si shtet nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të prodhuar rrymën që konsumohet, sidomos gjatë dimrit dhe varësia nga importi nuk ka qenë problem derisa nuk është rritur çmimi i importit.
Sipas saj, në situatën në të cilën ndodhet vendi, ekzistojnë vetëm dy opsione: reduktimet e ashpra ose rritje të tarifave.
Rizvanolli gjatë fjalës së saj në foltore të Kuvendit, ka sqaruar se me subvencionimin prej 75 milionë eurove, do të parandalohet edhe rritja e çmimeve nga bizneset.
“Ne si shtet nuk kemi kapacitete të mjaftueshme për të prodhuar energjinë që konsumojmë, sidomos gjatë dimrit ne varemi nga importi. Varësia jonë nga importi nuk ka qenë aq problem derisa kemi importuar 6 centë në orë, mirëpo sivjet kemi importuar me 15 centë kWh në orë. Jemi shteti më i varfër në Evropë, por prodhuesit nuk na pyesin për këtë. Janë rrethana të papara më parë. Janë dy opsione, reduktime të ashpra ose rritje të tarifave, kjo e para është zgjidhje më e keqe për qytetarët. Çmimi po bëhet 21 centë/kWh në orë, e sakta është kështu: për familjet që harxhojnë deri në 600 kWh në orë, 6.7 centë ditën dhe 2.9 centë natën. 14 centë ditën, 6 centë natën, asnjëra nga këto nuk është 21 centë. Është thënë që do të rriten çmimet e të gjitha produkteve sepse po rriten çmimet për bizneset, pas subvencionimit nuk ka arsye për të mendar këtë rritje të çmimeve”, ka thënë ajo.
Rizvanolli më tej tha se Qeveria nuk e ka mundësinë për të refuzuar kërkesën apo propozimin e një institucioni të pavarur siç është ZRRE-ja.
“Çka mund të bëjmë ne është ajo që e kemi bërë, kemi zotuar subvencion që e zbutë ndikimin te konsumatorët dhe bizneset. Në këtë krizë nuk jemi të vetmit, çmimet pritet të rriten në pranverë mbi 40 për qind në Britani e Turqi”, ka thënë më tej ajo.