Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli, ka konfirmuar për Gazetën Express se punimet në njësinë B2 të TC Kosova B kanë përfunduar dhe aktualisht janë në fazën e testimit dhe startimit të kësaj njësie prodhuese. Turbina e rotorit në njësinë B2 ka qenë jashtë funksionit që nga 14 dhjetori.
Për ta kthyer në funksion këtë njësi, KEK-u ka angazhuar edhe një ekspert gjerman.
Zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Skender Bucolli, ka konfirmuar se punimet në të kanë përfunduar.
“Korporata Energjetike e Kosovës ju njofton se punimet ne njësinë prodhuese B-2 kanë përfunduar sipas dinamikës së paraparë. Aktualishtë jemi në fazën e testimeve dhe startimit të kësaj njësie prodhuese”, ka thënë ai të premten për Express.
Si pasojë e mosprodhimit të rrymës nga njësia B2, Kosova ka importuar 50 milionë euro më shumë energji elektrike. Kthimin në funksionin rreth datës 20 janar të njësisë B2 të TC Kosova B e kishte paralajmuar edhe kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës në KEK.
Ai poashtu kishte njoftuar se do ta angazhojnë edhe një ekspert gjerman për riparimin e njësisë B2.
Ndërkaq për angazhimin e ekspertit gjerman në KEK janë ndarë 250 mijë euro.