Katër vrasje në një javë, reagon Kurti: Duhet analizë profesionale, veprim institucional e reflektim shoqëror

0
117

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur për katër vrasjet që ndodhën brenda një jave në Kosovë, duke kërkuar nga organet e ligjit angazhim maksimal.

Kurti tha se duhet të ketë analizë profesionale, veprim institucional e reflektim shoqëror, raporton Gazeta Express.

“Dua të ndaj brengën e njëjtë me të gjithë ju në lidhje me katër vrasjet e regjistruara në tri ditët e fundit. Ftoj organet e rendit, hetuesisë që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë shkaqet, rrethanat dhe predispozitat e dorasëve në mënyrë që edhe të vihet edhe drejtësi edhe të parandalohen akte të tilla. Vrasja është akti më i rëndë njeriu-njeriut, ajo asnjëherë nuk guxon të normalizohet. Vrasja është jo vetëm vrasje e njeriut, por edhe e shoqërisë në të cilën ai bënte pjesë, pra shoqërisë sonë. Gjithë vendi është tronditur dhe lënduar nga kjo seri e vrasjeve që duhet të ndalohet, ndalet, dënohet. Duhet natyrisht analizë e kujdesshme profesionale, veprim i menjëhershëm institucional, reflektim shoqëror që adreson dhunën që kemi parë në këto ditët e fundit. Kjo është thirrje për të gjithë ne. Edhe për faktin që këto vrasje ndodhën pikërisht në javën kur shënojmë 26-vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Kosovë për ta ndalë gjenocidin e Serbisë dhe përkujtojmë masakrat e njëpasnjëshme të aparatit shtetëror të Serbisë që synonte shfarosjen e popullit shqiptar”.

Kurti shprehi ngushëllime për familjet e viktimave, ndërsa tha se u qëndron pranë atyre.

“Shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe u qëndrojmë pranë në këto ditë të vështira teksa ritheksojmë kërkesën për angazhim maksimal të organeve të rendit dhe të drejtësisë”./Express/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here