Një rast i shitjes së narkotikëve është zbuluar në Prizren, ku dy persona janë kapur në flagrancë gjatë një aksioni në terren.
Ngjarja ka ndodhur më 18 mars 2026, rreth orës 13:30, në rrugën “Nazim Pulaj”, afër kompleksit “Him Group”, ku hetuesit kanë vërejtur dy persona duke kryer shitblerje të substancave narkotike.
Në momentin e ndërhyrjes, i dyshuari ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes dhe gjatë ikjes ka hedhur në tokë një sasi të dyshuar të marihuanës.
Gjatë kontrollit të personave dhe vendit të ngjarjes, është sekuestruar një sasi narkotike e llojit marihuanë me peshë rreth 6.70 gram.
Me autorizim të organeve kompetente është kontrolluar edhe banesa e të dyshuarit në të njëjtin lokacion, mirëpo nuk janë gjetur prova shtesë apo mjete të tjera ilegale.
Të dyshuarit janë shoqëruar në polici dhe janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë, ndërsa ndaj të dyshuarit tjetër, është iniciuar procedurë e veçantë për posedim të narkotikëve.
Hetimet për këtë rast janë në vazhdim./Gazeta Sinjali/













































