N’Golo Kante është ende në udhëkryq për të ardhmen, pasi i përfundon kontrata me londinezët e Chelsea. Mediat britanike raportojnë se së fundmi për francezin është futur në garë edhe Liverpool. “The Reds” kanë pasur probleme në repartin e mesfushës këtë sezon. Ata janë gati t’i ofrojnë Kantesë një kontratë të mirë në aspektin financiar dhe afatgjatë.
Gjithsesi mesfushori e ka kthyer në prioritet rinovimin me Chelsea, edhe pse më parë palët ndaheshin prej kohëzgjatjes së marrëveshjes. Londinezët i druhen më shumë një dëmtimi të mesfushorit, pas problemeve të fundit.
Tottenham mendon të përforcojë sulmin në merkaton e verës. Mediat në Izrael raportojnë se londinezët janë duke vëzhguar me kujdes anësorin e krahut të majtë, Manor Solomon. Ai po aktivizohet në Premier League me skuadrën e Fulham, që e ka marrë në huazim nga Shakhtar Donetsk.
Futbollisti 23-vjeçar, edhe pse nuk ka luajtur ende asnjë ndeshje si titullar me skuadrën londineze, ka arritur të shënojë tre gola në kampionat. Më parë Solomon ka spikatur në Ukrainë, duke regjistruar 22 gola e 9 asistime në 106 ndeshje me fanellën e Shakhtar Donetsk.
Loris Karius mund të provojë një kampionat të ri sezonin e ardhshëm futbollistik. Portieri gjerman përflitet si një opsion për Interin në Itali, një ligë që ai nuk e ka prekur më parë. Mbrojtësi i katërkëndëshit është në përfundim të kontratës me Newcastle dhe kalimi në gadishullin Apenin është i mirëpritur prej tij.
Interi kërkon një portier të dytë për të qenë gati në rast se mungon Andre Onana. Thashethemet për Karius tek Interi nxiten edhe nga fakti që portieri është në një lidhje dashurie me moderatoren e njohur, Diletta Leotta. Kjo e fundit ishte e pranishme edhe në finalen e EFL Cup, mes Newcastle e Manchester United./SS