Kandidatja për Trajnere të Vitit në botë:  Jam shqiptare, krenare që përfaqësoj Kosovën e Shqipërinë

0
85

Elena Sadiku nuk kishte ndeshje e angazhime në fundjavë me skuadrën skoceze Celtic. Por kjo fundjavë ishte prej më të veçantave në karrierën e 31-vjeçares.

Të premten FIFA e përfshiu Elena Sadikun në listën e kandidatëve për Trajner të Vitit në botë për futbollin e femrave. Ajo është njëra prej tetë trajnerëve të përzgjedhur. Po të premten, Sadiku e përfundoi në Suedi shkollimin për licencën “Profi” të trajnerit të futbollit. Të shtunën ajo u shpall trajnerja më e mirë e vitit 2024 në Premier Leaguen e Skocisë.

Por është nominimi nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) që e bën Elenën shumë krenare.

“Nuk e kam pritur këtë nominim. Erdhi si befasi. Befasi e këndshme natyrisht”, ka thënë Elena Sadiku për KOHËN, të dielën.

Në garë për çmimin prestigjioz të FIFA-s, Elena është me emrat më të mëdhenj të futbollit të femrave.

Selektori i Brazilit, Arthur Elias, selektorja e SHBA-së, Emma Hayes, selektori i Japonisë, Futoshi Ikeda, trajneri i Manchester Cityt, Gareth Taylor, trajneri i Washington Spirit, Jonatan Giraldez, trajnerja e Parisit, Sandrine Soubeyrand dhe trajnerja e Chelseat, Sonia Bompastor janë kandidatët e tjerë. Dy prej tyre janë nga Franca, dy nga Anglia dhe nga një prej Brazilit, Japonisë dhe Spanjës.

Sadiku është e evidentuar si përfaqësuese e Suedisë. Në këtë vend është rritur dhe është zhvilluar si lojtare e më pas si trajnere.

“Aty shkruan Suedia, por unë jam shqiptare dhe kam dëshirë të bëj krenare Kosovën e Shqipërinë”, ka shtuar Elena Sadiku që po shndërrohet në njërën prej trajnereve më të mira në botë të futbollit.

Nominimi i FIFA-s e konfirmon këtë.

Sadiku kishte karrierë shumë premtuese si futbolliste. Por për shkak të lëndimeve dhe operimeve të shumta i dha fund herët karrierës si lojtare. I kishte plot 13 operime dhe u tërhoq në moshën 23-vjeçare. Pas operimit të fundit rrezikoi të humbë këmbën për shkak të një infeksioni serioz.

Luajti për Malmon, Kristianstadin, Eskilstunan dhe Hammarbyn në Suedi. I kishte 14 ndeshje e dy gola me U19 të Suedisë.

Në shkurt të vitit 2018 nisi karrierën si trajnere. Fillimisht mori një rol në shtabin teknik të klubit kinez Beijing Phoenix. Më pas ishte asistente te Rosengardi në Suedi dhe te Fortuna Hjorring në Danimarkë. Tek Eskilstuna e Suedisë ishte trajnere e parë, e më pas udhëhoqi ekipin U21 të klubit anglez Everton. Në janar të këtij viti mori drejtimin e Celticut dhe vendimi doli shumë i qëlluar. Për herë të parë Celticu ka trajnere për ekipin e futbollisteve. Në të kaluarën futbollistet e Celticut janë drejtuar nga trajnerë. Dhe me Elenën në krye të shtabit teknik, Celticu e ka periudhën më të mirë që nga themelimi. Për herë të parë e ka fituar titullin e Skocisë dhe për herë të parë po paraqitet në fazën grupore të Ligës së Kampionëve.

“Për herë të parë një anëtare e Celticut nominohet për çmime të FIFA-s. Të gjithë e kanë pritur shumë mirë. Ne jemi ende duke u zhvilluar, ndonëse deri më tani ka shkuar shumë mirë. Për herë të parë kemi fituar titullin dhe për herë të parë jemi në Champions. Askush nuk e ka besuar që këtë do ta arrijmë kaq shpejt. Unë kam firmosur për dy vjet e gjysmë, pra jam në nismë të projektit. Por gjërat kanë lëvizur shumë shpejt në drejtimin e duhur”, ka shtuar Sadiku.

Ajo ndien se te Celticu ka ende punë për të bërë. Është e bindur se Celticu mund të ngrihet ende si skuadër, me përmirësimet që do të bëhen. Prandaj edhe të ardhmen e sheh te kjo skuadër. Thotë se është shumë e kënaqur.

Të arriturat e Elena Sadikut ishin të shumta gjatë këtij viti. Mediumi i fuqishëm britanik “The Guardian” ka raportuar se ajo është bërë trajnerja apo trajneri më i ri që ka drejtuar një skuadër në fazën grupore të Ligës së Kampionëve, në të dy gjinitë. Ajo e theu rekordin që e kishte vendosur Julian Nagelsmann me Hoffenheimin. Ai kishte drejtuar ekipin gjerman në Champions me 31 vjet dhe 58 ditë. Elena e bëri këtë me Celticun ende pa i mbushur 31 vjet.

 “Ky rekord më bën krenare, natyrisht. Përvoja në Champions është e veçantë për mua dhe për gjithë skuadrën”, ka shtuar Sadiku. Mediumet më të fuqishme botërore kanë shkruar së fundit për kosovaren.

Për të ardhmen ajo nuk e përjashton mundësinë që të drejtojë edhe një ekip të futbollistëve.

“Është prej sfidave që e mendoj për të ardhmen. Secila sfidë të ndihmon të rritesh. Futbolli është futboll, pavarësisht nëse ai luhet nga vajzat apo djemtë. Taktika është e njëjtë. Kam dëshirë ta drejtoj ekip të djemve në të ardhmen, për të parë nëse është sfidë e madhe. Për të kuptuar nëse ndryshimi është i madh”, ka shtuar Sadiku.

Ajo tregon se familja, në Kosovë e në Suedi, e përkrah shumë. Është e lumtur që i ka bërë prindërit krenarë.

“Përkrahja prej tyre është shumë e madhe. Për shembull e kanë shpërndarë linkun se ku të tjerët mund të votojnë për mua që të shpallem trajnerja më e mirë. Edhe familja e shoqëria kanë vepruar njëjtë. Më vjen mirë që i kam bërë e po i bëj krenarë”.

Përzgjedhja e FIFA-s varet edhe nga votat e publikut.

Sadiku ka thënë se nga Kosova e Shqipëria nuk është kontaktuar asnjëherë. Drejtimin e Kosovës apo të Shqipërisë nuk e përjashton për të ardhmen, përkundër moskontaktimit të deritashëm.

“Kosovën e kam në zemër. Unë jam nga Kosova, jam shqiptare”, thotë Elena Sadiku.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here