Një këmbësore është goditur për vdekje nga një kamion sot, rreth orës 13:00 në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Prizrenit.
“Sot, me datën 11.12.2025, rreth orës 13:00, është raportuar për një aksident trafiku. Sipas të dhënave fillestare, në lagjen Lakuriq në Prizren, një kamion betoni, teksa ishte duke lëvizur në afësi të punishtes, nuk e ka vërejtur këmbësoren, një grua rreth 55-vjeçare, dhe e ka goditur me mjet”, tha Shaqir Bytyqi, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit për Gazetën Sinjali.
“Shërbimi i urgjencës është njoftuar menjëherë dhe mjekët në vendngjarje kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Policia ka dalë në vendngjarje, ndërsa i dyshuari është ndaluar në stacionin policor. Në bashkërendim me prokurorin e shtetit po ndërmerren të gjitha veprimet e domosdoshme ligjore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”./Gazeta Sinjali/














































