Kamberi: Duhet të vazhdoi lufta politike për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

0
296

Bartësi i listës Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar, Shaip Kamberi, ka kërkuar angazhim për të pasur minimalisht tre deputetë shqiptarë në parlamentin serb.

Pasi votoi vetëm për zgjedhjet parlamentare në fshatin Tërnoc të komunës së Bujanocit, Kamberi tha se duhet të vazhdojë lufta politike për të drejtat e shqiptarëve në luginë.

“Ne duhet të kemi një angazhim sot që të ruajmë nivelin e përfaqësimit, minimumi do të ishte tre deputetë. Tjetër që është me rëndësi është vazhdimi i luftës politike për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës të cilat po na mohohen nga gjitha qeveritë me radhë. Nuk besoj se do të ketë një qeveri demokratike, përveç nëse rrethanat gjeopopitike që po krijohet do të ndikojnë në një proces të përshpejtimit të integrimit në BE, Serbia t’i përmbushë standardet e BE-së”, tha ai.

Ai tregoi edhe arsyen pse nuk votoi për zgjedhjet presidenciale.

“Mjerisht jo, asnjë nga kandidatët që janë në garë për presidentë nuk ka pasur asnjë ofertë për pakicat e sidomos jo për shqiptarët”, shtoi ai.

Ndërkohë komentoi edhe numrin e madh të serbëve të ardhur nga Kosova për të votuar në Bujanoc.

“Serbia ka orientuar, sidomos nga Anamorava të votojnë në Bujanoc. Nuk është vendimi më fatlum që të votojnë në Bujanoc”, tha ai.

Partitë shqiptare në Luginën e Preshevës po garojnë me dy lista zgjedhore me gjithsej 20 kandidatë për deputetë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here