Shefja e Politikës së Jashtme dhe e Sigurisë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, gjatë vizitës së saj të parë zyrtare në Prishtinë, deklaroi se Bashkimi Evropian ka filluar procesin e heqjes graduale të masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023. Kjo lëvizje u cilësua si një sinjal i qartë i përkushtimit të BE-së ndaj së ardhmes evropiane të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Në një deklaratë për mediat, Kallas theksoi se nuk ka rrugë të shkurtër për anëtarësimin në BE, por progresi mund të arrihet vetëm përmes reformave të qëndrueshme. Ajo vlerësoi përpjekjet e Kosovës në forcimin e institucioneve demokratike dhe nënvizoi rëndësinë e Planit Evropian të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si një mundësi për integrim gradual në tregun e përbashkët të BE-së.
“Si shenjë e përkushtimit tonë, mund të njoftoj se BE-ja ka nisur heqjen graduale të masave të vendosura në qershorin e vitit 2023. Vendimi hap derën për mundësi më të mëdha për zhvillimin e Kosovës dhe për lidhje më të forta me BE-në,” tha Kallas.
Megjithatë, ajo paralajmëroi se heqja e masave është e kushtëzuar me përmirësimin e situatës në veri të vendit dhe me një deeskalim të qëndrueshëm. “Mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia në veri cenon përpjekjet drejt deeskalimit,” theksoi ajo.
Kallas gjithashtu theksoi rëndësinë e formimit të një qeverie të re funksionale në Kosovë dhe bëri thirrje për bashkëpunim mes forcave politike. “Inkurajoj të gjithë aktorët politik që të bashkëpunojnë mes vete dhe me komunitetet që përfaqësohen në Kosovë. BE-ja është e gatshme të ju mbështesë, por liderët politikë duhet t’i lënë anash dallimet dhe ta prioritizojnë të ardhmen e Kosovës,” deklaroi ajo.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Kallas u takua me liderët e dy partive opozitare, Memli Krasniqi të PDK-së dhe Lumir Abdixhikun e LDK-së.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit me Kallasin, deklaroi se partia që ai drejton mbetet e përkushtuar për të ndihmuar në tejkalimin e krizës politike dhe përparimin e Kosovës drejt integrimit evropian. Ai i kërkoi zyrtares së lartë evropiane që BE-ja të angazhohet për heqjen sa më të shpejtë të masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kërkoi të njëjtën gjë, duke theksuar se masat ndëshkuese dëmtojnë popullin e Kosovës më shumë sesa qeverinë. Ai e informoi Kallasin për propozimin e LDK-së për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse si mënyra më funksionale për të dalë nga kriza politike aktuale.