Zyrtari i LDK-së në Prizren, Nderim Kadriaj, ka denoncuar shpërfilljen e banesave për banim social që qëndrojnë të papërfunduara dhe të degraduara në periferi të qytetit, ndërkohë që, sipas tij, qeverisja e Shaqir Totajt shpërblen me 35 mijë euro bashkëshorten e fotografit të tij personal, raporton 04 Online.
Kadriaj thotë se këto banesa të ndërtuara me paratë e qytetarëve janë kthyer në simbol të dështimit, ndërsa qytetarët në nevojë jetojnë në kushte të vështira.
Reagimi i plotë i Nderim Kadriajt:
Banesat për banim social të harruara dhe të shkatërruara, por 35 mijë euro për bashkëshorten e fotografit të Totajt!
Në periferi të Prizrenit, qëndrojnë prej vitesh banesa të destinuara për banim social, të cilat asnjëherë nuk u përfunduan, nuk u funksionalizuan dhe tashmë janë dëmtuar, degraduar e lënë në mëshirë të kohës. Qytetarët që kanë nevojë për strehim jetojnë në kushte të vështira, ndërsa këto objekte, të ndërtuara me paratë e taksapaguesve, po kthehen në simbol të dështimit dhe shpërfilljes.
Ndërkohë, qeverisja e Shaqir Totajt shpërblen me 35 mijë euro bashkëshorten e fotografit të tij personal, duke e bërë të qartë se prioritetet e këtij pushteti nuk janë qytetarët, as të pastrehët, por rrethi i afërt dhe shërbëtorët e bindur.
Kjo nuk është vetëm padrejtësi, është përqeshje ndaj njerëzve në nevojë, dhe shkelje e rëndë e besimit publik.
Qytetarët e Prizrenit meritojnë më shumë se propagandë dhe ndarje fondesh në mënyrë klienteliste. Meritojnë banim dinjitoz, transparencë dhe qeverisje që punon për ta, jo për interesat e ngushta të kryetarit.