Arbër Kabashi nga Iniciativa për Progres (INPO), ka shprehur shqetësimin për korrupsionin e përhapur në fushën e prokurimit publik në Kosovë dhe mungesën e vullnetit për të miratuar një Ligj të ri që adreson mangësitë aktuale.
“Përderisa përmes prokurimit publik shpenzohet buxheti publik, korrupsioni më së shumti është i shprehur pikërisht në këtë fushë. Ne si organizatë kemi shprehur vazhdimisht shqetësimin për mosmiratimin e një Ligji të ri për prokurimin publik”, tha Kabashi.
Ai në “Tempus” të KTV-së theksoi se ndonëse në agjendën legjislative të Kuvendit të Kosovës është paraparë që çështja e Ligjit të ri për prokurimin publik të trajtohet në mars të vitit 2024, deri më tani nuk ka pasur asnjë veprim konkret apo vullnet për ta realizuar këtë.
“Ligji aktual ka disa mangësi që po shfrytëzohen nga operatorët ekonomikë dhe zyrtarët e autoriteteve kontraktuese. Ndërlidhja mes tyre shpesh çon në afera të ndryshme korruptive”, shtoi ai.
Kabashi renditi disa prej mangësive kryesore të ligjit aktual. Një nga to lidhet me çështjen e sekretit afarist, për të cilën INPO ka përgatitur një udhëzues për ta adresuar. Po ashtu, problematike tha se është edhe hartimi i specifikimeve teknike, ku shumë autoritete kontraktuese diskriminojnë disa operatorë ekonomikë duke favorizuar të tjerë, çka sipas tij, krijon hapësirë për korrupsion.
“Konsiderojmë se ka ardhur koha për një Ligj të ri për prokurimin publik që të evitojë këto probleme dhe të sigurojë transparencë dhe llogaridhënie në menaxhimin e buxhetit publik”, tha Kabashi./Koha