Joseph: SHBA-ja ka dështuar ta largojë Serbinë nga orientimi pro-rus

0
145

Edward Joseph, profesor në Universitetin “John Hopkins” në Washington, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i trajton fqinjët e Serbisë me një standard shumë më të ashpër sesa shtetin serb.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dështuar ta largojnë Serbinë nga orientimi pro-rus.

“Duhet të theksoj që kemi pasur dy konfrontime të dhunshme në Kosovë këtë vit. Kemi pasur probleme të mundshme në Malin e Zi, i cili është një aleat i NATO-s. Dhe tani brenda qeverisë, ka elementë pro-rusë brenda atij aleati të NATO-s. Kemi një krizë që po fillon, ndoshta edhe duke filluar këtë muaj në Bosnje Hercegovinë”, tha Joseph në një intervistë për PBS Weekend News.

Sipas tij, administrata Biden e ka trajtuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më butë se sa do të duhej.

“SHBA-ja në thelb projekton frikë nga Beogradi, të cilën presidenti Vuçiq e interpreton saktë dhe e shfrytëzon. E gjitha kjo shkon natyrisht në dobi të aleatit të tij, që është Rusia”, shtoi ai.

“Kemi një politikë proruse në Beograd, të cilën e shohim hapur. Pra, kemi absurditetin e Shteteve të Bashkuara, të cilat vazhdojnë t’i shërbejnë presidentit Vuçiq. Dhe kemi absurditetin kur presidenti Vuçiq takohet me ambasadorin e tij të afërt dhe të preferuar, ambasadorin rus, dhe ata të dy fajësojnë hapur SHBA-në dhe Bashkimin Evropian për nxitje të protestave, të cilat janë legjitime”, u shpreh ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here