Kryetari i Partisë Popullore në Serbi, Vuk Jeremiq, e ka kritikuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për dakordimin e arritur në Ohër për aneksin e zbatimit të propozimit evropian.
Ai tha se nga pala serbe në dialog ka nisur zbatimi i pikave të këtij plani, duke e përmendur pajtimin e kryenegociatorëve për marrëveshjen për të pagjeturit në Kosovë.
Ndër tjera, shtoi se nga kjo Serbia do t’i japë Kosovës qindra miliona euro për kompensimin e dëmeve të shkaktuara gjatë luftës ndaj viktimave.
“Tashmë është bërë dëm i madh, sepse me këtë Serbia ka hapur rrugën ligjore për pagesën e dëmshpërblimeve për shqiptarët e Kosovës në shuma astronomike. Nëse gjykatat serbe nuk u japin kompensim, është krijuar baza ligjore, sipas deklaratës së pranuar në emër të Serbisë nga drejtori i Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën, Petar Petkoviq, që ata të kërkojnë dëmshpërblim para gjykatave ndërkombëtare. “Po flasim për qindra milionë, ndoshta edhe miliarda euro dhe kjo është vetëm pasoja e parë”, tha Jeremiq.