Asnjëherë nuk është vonë për të bërë një jetë të shëndetshme dhe për të shtuar ca aktivitete në ditën tuaj. Kardiologët sugjerojnë për të gjithë njerëzit e moshës 50 vjeç e lart që t’i japin përparësi shëndetit të zemrës.
Kjo është shumë e rëndësishme pasi me rritjen e moshës shtohet rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare. Ekspertët shëndetësorë thonë se kolesteroli i lartë në enët e gjakut mund të shkaktojë sulm në zemër dhe goditje në tru.
Dr.Norman Lepor, drejtor i Institutit Kombëtar të Zemrës në Beverly Hills thotë se me kalimin e moshës ka një sërë aminoacidesh që magazinohen në trup dhe krijojnë komplikacione shëndetësore, sidomos nëse i keni kaluar të 50-at. Nga ana tjetër, një tjetër kardiolog, Dr.Christopher Davis argumenton se një shëndet i mirë i zemrës nis nga mirëmenaxhimi i stresit.
“Në një shoqëri të mbushur me stres dhe ankth, një nga zakonet më të rëndësishme që rekomandoj për të promovuar shëndetin kardiovaskular është një lloj praktike frymëmarrjeje ose meditimi për të balancuar sistemin nervor,” shpjegon ai.
Ai shton se nivelet e larta të ankthit dhe stresit rrisin presionin e gjakut dhe rrahjet e zemrës, duke rritur rrezikun e mpiksjes së gjakut, gjë që mund të jetë kërcënuese për jetën. Studimet shkencore tregojnë një lidhje të qartë midis përjetimit të niveleve të larta të stresit dhe vdekjes së parakohshme. Stresi rrit rrezikun e vdekjes së parakohshme deri në 43%.
Pra, mos harroni! Meditimi është një mënyrë efektive për të mos pasur stres, ose një vrap çdo mëngjes. Shkenca ka provuar se 30 minuta në ditë vrap ul ndjeshëm rrezikun e prekjes nga sëmundjet e zemrës. Edhe aktivitete të tjera aerobike e bëjnë zemrën më të fortë duke përmirësuar dhe qarkullimin e gjakut.
Një tjetër gjë që duhet të bëjnë kjo grupmoshë është të tregohen të kujdesshëm me ushqimin. Kardiologët rekomandojnë t’i jepet përparësi ushqimeve që janë minimalisht të përpunuara dhe të pasura me lëndë ushqyese, të tilla si dieta mesdhetare. Kjo mënyrë të ushqyeri ka prioritet perimet, frutat, drithërat, proteinat bimore, peshkun, arrat dhe vajin e ullirit.
Por, patjetër nuk duhet lënë anash gjumi. Shëndeti i zemrës është kryesisht nën kontrollin tuaj.