Jemi shqiptar, jo romak dhe as turq e ortodoks!

0
686

Njëri ndër shqiptarët më të mëdhenj që kam takuar në jetën time është edhe Akademik Mark Krasniqi, i cili kishte studijuar Letersinë në Universitetin e Padova-Itali (1941-1943) dhe e fliste gjuhën italiane më mirë sesa unë, disa vite para vdekjes ua kishte lënë amanet familjarëve, që ceremonia e varrimit t’i bëhet pa rituale fetare dhe pa referate të politikanëve dhe oligarkëve të korruptuar të kohës.

Ndarjet fetare, fatkeqësi kombëtare

Jemi ndër popujt e vetëm në ballkan, e ndoshta në botë ku gjithmonë ka dominuar bashkëjetesa dhe toleranca ndërfetare. Kemi përjetuar pushtime të gjata dhe luftëra të shumta gjatë historisë, por asnjëherë nuk kemi pasur konflikte ndërfetare, anipse armiqt shekullor janë munduar t’na shkaktojnë armiqësi dhe konflikte ndërfetare brenda trungut tonë kombëtar.

Historia e besimeve fetare është e gjatë sa vet historia e jonë kombëtare!

Ne shqiptarët ishim pagan, perandoria romake na solli besimin krishter, kurse perandoria otomane na e solli besimin islam, ndërsa pushtimi shekullor serbosllav nuk ia arriti qëllimit t’na kthejë në ortodoks ashtu siq e kishte menduar. Pra, religjionet nuk i kemi dhuratë nga Zoti, por i kemi imponim të pushtimeve të gjata shekullore.

Neve shqiptarëve, asnjëri nga religjionet nuk na erdhën me lule dhe as si torta në pjatë, por përmes pushtimeve të gjata, përmes dhunës dhe trysnisë shekullore të pushtuesve të ndryshëm grabitçar të trojeve tona etnike.

Jam me fat që dy prindërit i kam pasur mësues të shkollës shqipe në kohën e tyre, nga të cilët jam edukuar vetëm në frymën e pastër kombëtare, larg dogmave fetare. Kjo ka bërë që unë të rritem dhe kalitem vetëm në frymën e pastër kombëtare. Andaj, kam arsye të ndjehem keq sa herë që dëgjojë për konfrontime dhe urrejtje ndërfetare tek shqiptarët.

Bajram e Pashkë i kemi bashkë

Në shtetin ku jetojë, jo një herë, por disa herë kam pësuar për shkak të përkatësisë fetare edhe pse nuk jam prejudikues i fesë, por asnjëherë nuk jam penduar, për arsye se nuk mund të deklarohesha ndryshe nga prejardhja ime familjare e besimit islam.

Janë me dhjetra e qindra raste ndër familjet shqiptare, ku vëllaznia e të njëjtëve prind biologjik u përkasin dy religjioneve të kundërta; njëri musliman e tjetri katolitk, mirëpo, kjo asnjëherë nuk është bërë pengesë për zhvillim të jetës normale dhe lidhjeve martesore mes të rinjëve e të rejave shqiptare.

Në të gjitha luftërat gjatë historisë, e deri në luftën e fundit njerëzit janë vra dhe kanë rënë dëshmorë si shqiptar e jo si katolik apo musliman, e aq më pak si anëtarë të partive politike! Prandaj, çdo tendencë për ndarje të atdhetarizmit në baza fetare do të jetë e dështuar.

Besimet tradicionale asnjëherë nuk kanë shkaktuar probleme mes shqiptarëve, përkundrazi i kemi shfrytëzuar si pika reference të bashkimit mes shqiptarëve në kohët më të vështira dhe ditët më të zeza gjatë historisë. Të gjitha festat fetare i kemi mbajtur bashkë, pra Bajram e Pashkë i kemi mbajtur bashkë me dashuri dhe respekt të ndërsjellë ndaj njëri-tjetrit.

Mirëpo, pas lufte, si pasojë e rënjes së nivelit arsimor dhe keq-qeverisjeve të njëpasnjëshme, morën hov ekstremizmat e ndryshëm fetar dhe partiak, duke e instaluar gjuhën e urrejtjes ndërvëllazërore mes shqiptarëve.

Dy herë në jetën time kam hyrë në objektet fetare; një herë në Xhaminë e Jashanicës (Klinë) në fillim të vitit 1991, në një mbledhje të Forumit Rinor të LDK-së dhe herën tjetër në Kishën e Gllogjanit (Pejë) në muajin Gusht të vitit 2017, në një promovim librash. Në të dyja rastet nuk e kam përjetuar as ndjenjen më të vogël fetare!

Kemi arsye të ndjehemi krenarë që jemi shqiptar, jo romak e as turq e ortodoks, por kemi të drejt t’i përkasim cilit do besim fetar që na thotë mendja e zemra apo të jemi edhe ateist, por gjithnjë duke i respektuar besimet e të tjerëve.

Ne shqiptarët jemi një komb i shprishur dhe i shpërndarë gjithandej globit, por asnjëherë nuk duhet të harrojmë origjinën dhe rrënjet tona dhe të jemi krenarë që jemi shqiptar!

Religjionet dhe partitë politike kanë ngjashmëri të mëdha me njëra-tjetrën, të cilat për qëllim kanë dominimin në të njëjtën fushë-të njerëzimit.

Përderisa partitë politike sferën e dominimit e realizojnë nëpërmjet fushatave zgjedhore në objekte shtetërore e private, rrugë e sheshe…, religjionet atë e bëjnë brenda objekteve fetare dhe nëpërmjet mediumeve të caktuara.

Kombi është një dhe i pazavendësueshëm, është mbi të gjitha partitë politike dhe religjionet, kurse besimet fetare janë zgjedhje individuale dhe përcaktime personale, të lira dhe të respektuara në botën e civilizuar dhe demokratike.

Shkruan: Florim ZEQA

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here