Barcelona përballet me një javë vendimtare në dy fronte, Ligën e Kampionëve dhe La Ligën. Katalanasit do të udhëtojnë drejt Milanos për ndeshjen e kthimit në gjysmëfinale të Champions League kundër Interit, për të vijuar më pas me superpërballjen e shumëpritur në “El Clasico” ndaj Real Madridit, katër ditë më vonë në “Camp Nou” – sfidë që mund të përcaktojë fatin e titullit kampion, shkruan 04 Online.
Pas fitores ndaj Real Valladolidit, trajneri Hansi Flick konfirmoi emrin e titullarit në portë për të dyja këto ndeshje kyçe, Wojciech Szczesny.
“Szczesny do të luajë në Ligën e Kampionëve kundër Interit dhe pastaj edhe kundër Real Madridit. Është vendosur. Jam i lumtur që e kam Ter Stegenin përsëri të disponueshëm”, ka thënë Flick.
Szczesny, i cili ishte pensionuar në fund të sezonit të kaluar, befasoi botën e futbollit me rikthimin e tij. Ai nënshkroi me Barcelonën në një marrëveshje që fillimisht u pa si zëvendësues, por me paraqitjet mbresëlënëse këtë sezon, është shndërruar në një nga pikat më të forta të ekipit katalanas.
Barcelona tashmë është e fokusuar në dy misione, finalen e madhe të Champions-it dhe rikthimin e titullit në La Liga./04 Online