Manchester City po shqyrton seriozisht rikthimin e portierit James Trafford, që më parë ka qenë pjesë e klubit. Lajmi u bë i ditur nga eksperti i merkatos, Fabrizio Romano, i cili e cilësoi këtë si një “bombë” të së premtes në mbrëmje, shkruan 04 Online.
Trafford, i cili shkëlqeu sezonin e fundit me Burnley duke mbajtur portën e paprekur në 29 nga 45 ndeshje, është parë si një alternativë e mundshme nëse Ederson ose Stefan Ortega largohen këtë verë. Për formën mbresëlënëse, ai u thirr në kombëtaren angleze në mars, megjithëse ende nuk ka debutuar.
Manchester City ka qenë aktiv në merkato me afrime si Reijnders, Cherki dhe Ait-Nouri, por duket se lëvizjet nuk kanë përfunduar. E ardhmja e Ederson mbetet në pikëpyetje, përkundër deklaratave të tij se dëshiron të qëndrojë.
Trafford, i rritur te City që nga mosha 12-vjeçare, u shit te Burnley për 19 milionë paund. Një rikthim i tij në “Etihad” është gjithnjë e më i mundshëm nëse hapet një vend në portë./04 Online