Ish-kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, ka komentuar situatën në komunë pas betimit të kryetarëve të rinj në veri të Kosovës, përfshirë edhe kryetarin e ri të Zubin-Potokut, Milosh Pereviq nga Lista Serbe.
Zeqiri tha se dorëzim-pranimi është zhvilluar në dy takime të ndara, një në orët e paradites dhe një pasdite.
“Dje kishim një dorëzim-pranimin të detyrës në formë protokollare. Kishim dy takimi, një para dite dhe një pas dite të dorëzim-pranimit të detyrës. Takimi ishte brenda kornizave të mirësjelljes, por jo takim i kënaqshëm. Ne i dhamë ato çka duhet”, deklaroi ai.
Zeqiri tha se ndërmjet dy takimeve ka vërejtur ndryshime brenda zyrës së kryetarit, të bëra nga ekipi i ri komunal.
“Nga para dite deri pas dite, kishte një ndryshim brenda zyrës, ku kryetari i ri flamurin e republikës e kishte vendosur në anën e majtë dhe jo siç ka qenë në anën e djathtë, vetëm kishte zhvendosje. Po ashtu edhe fotografia e presidentes ishte në anën e majtë, ky ishte një ndryshim”, theksoi ai për FrontOnline.
Ai tha se pret që Lista Serbe të nisë propagandë rreth këtij procesi.
“Unë e di se këta si LS do të lansojnë propaganda sepse janë mjeshtër të tyre. Ai i ka tash kompetencat e veta dhe unë kthehem në zyrën për komunitete. Jashtë zyrës ishte flamuri i Kosovës, janë të paprekur”, tha ndër të tjera Zeqiri.
Zeqiri foli edhe për mundësinë e sabotimeve nga ana e administratës së re.
“Këta do të bëjnë sabotim, por do të mbetet të shihet sepse janë gjëra që nuk mund të ndryshohen. Unë nuk besoj se do të mund të bëjnë ndryshim sepse ligji është ai”, përfundoi ai.














































