Me një solemnitet rasti, dje në Prizren u shënua 25 vjetori i rifunksionimit të Komunës së Prizrenit, të parit institucion që nisi punën në Kosovën e çliruar nga pushtimi serb, ndërsa në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe Metush Biraj, pjesë dikurshme e stafit ekzekutiv, por që tash ka Aktakuzë të ngritur për korrupsion të nivelit të lartë.
Në ceremoninë e mbajtur në sallën e Kuvendit Komunal, ishin udhëheqësit më të lartë të asaj kohe, ish-drejtorë komunal e shumë veprimtarë të respektuar, të cilët kishin dhënë kontribut para dhe gjatë luftës. Ish-prokurori Biraj, në këtë solemnitet madje nuk ishte hezituar të ulej në pjesën kryesore, në ballinë, siç shihet edhe në foto.
Ndryshe në mars të këtij viti u njoftua për ngritjen e Aktakuzës ndaj Birajt, për marrje ryshfeti, pasi ishte tërhequr nga një rast për narkotikë në fjalën përfundimtare. Aktakuza ndaj tij ishte ngitur pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi”,
Në qershor, u njoftu se Gjykata e Apelit ka marrë aktvendim që aktakuza e ngritur ndaj Metush Birajt, për marrje ryshfeti, të kalojë në kompetencë lëndore të Prokurorisë Speciale.
Sipas arsyetimit të Apelit, kryerja e veprës penale nga Biraj dyshohet të jetë bërë në mes muajve prill dhe korrik 2023, në një pjesë të kohës sa ka qenë prokuror, raportoi “Betimi për Drejtësi“.
Si rrjedhojë, aktvendimi për fillimin e hetimeve dhe aktakuza ndaj tij, do duhej të merreshin nga Prokuroria Speciale, duke qenë se pozita e tij është pozitë e lartë publike, dhe jo nga Prokuroria Themelore në Gjilan.
Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, në Ligjin për Prokurorinë Speciale është përcaktuar qartë se çfarë nënkupton korrupsioni i nivelit të lartë.
Sipas këtij ligji, veprat e kryera nga prokurori konsiderohen vepra të korrupsionit të nivelit të lartë.
Referuar një raportimi nga Gazeta Insjaderi, Biraj është në marrëdhënie familjare me kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj ( përkatësisht nipi apo djali i motrës së babës ). Në prag të pensionimit, Biraj kishte trajtuar edhe lëndë ndaj sektoreve komunale, që janë në vartësi të Totajt, duke hedhur poshtë Kallëzimet Penale.