Një ish-miss kosovar, me iniciale Z.B., i është caktuar masa e arrestit shtëpiak pasi e njëjta dyshohet se e shantazhoi me foto dhe video intime të dëmtuarin I.J. Sipas dosjes së Prokurorisë, ajo e ka kërcënuar I.J., se do t’i ndajë këto materiale me familjarët e tij, dhe në një moment edhe e ka brërë.
Përmes shantazhit, Z.B., i ka marrë fillimisht 50 mijë euro viktimës, me shpresë që çështja të mbyllet mirëpo se shantazhi ka vazhduar, raporton Express, transmeton Reporteri.net.
E njëjta ka vazhduar me shantazh, kështu duke përfituar edhe një veturë të tipit Audi Q8 në vlerë prej 70 mijë euro, si dhe nga 5 mijë euro të tjera për çdo muaj. I gjithë ky presion ndaj I.J., nga Z.B., u krye në një interval kohor prej dy vitesh, nga 2021 deri më 2023-ën.
Tash, ish-missit të Kosovës, i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji. Kështu ka konfirmuar Zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj.
“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, me datë 10.10.2023, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, dhe ndaj të pandehurës Z.B., ka caktuar masën e ARRESTIT SHTËPIAK; në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri me datë 08.11.2023, për shkak të dyshimit zë bazuar se e njëjta ka kryer veprën penale, Shantazhi nga neni 329, par. 2 lidhur me par. 1 të KP-së”, thuhet në përgjigjen e Lekajt.
Çka thuhet në dosjen e Prokurorisë?
Prokuroria Themelore e Prizrenit pretendon se “prej muajit gusht të vitit 2021 e në vazhdimësi deri më datën 08.10.2023, në intervale të ndryshme kohore në Prizren dhe Prishtinë, e pandehura Z.B., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo përsonin tjetër, e kanos të dëmtuarin I.J., se do t’i dërgojë fotot e tyre personale familjes së të dëmtuarit, me çka do të dëmtojnë nderin apo autoritetin e të dëmtuarit dhe në këtë mënyrë e detyron të dëmtuarin të kryejë veprime në dëm të pasurisë së tij”.
Z.B., sipas prokurorisë ka dërguar fotot e tyre intime tek familja e I.J.
“I dëmtuari dhe i pandehuri krijojnë lidhje dashurie, gjatë muajit gusht të vitit 2021 derisa e pandehura kishte shkuar në SHBA, i kërkon të dëmtuarit 100 mijë euro për nevojat e saj, por i dëmtuari nuk ia dërgon shumën dhe kërkon ta ndërprejnë lidhjen, e pandehura e kërcënon se do t’ia shkatërrojë familjen. Në “Instagram” nga një llogari “N…n”, ia dërgon fotot intime tek bashkëshorja, djali dhe shokët e të dëmtuarit…”, pretendon prokuroria.
Pas rikthimit nga SHBA, ajo vazhdon ta kanos të dëmtuarin.
“Më pas në fillim të vitit 2022, e pandehura kthehet nga SHBA, derisa i dëmtuari ishte në një hotel në Prishtinë, aty vjen e pandehura dhe i drejtohet të dëmtuarit “çka të kam bërë ishte vetëm 30% dhe 70% kam gjëra që do t’i publikojë”, ke menduar se e ke përfunduar por unë akoma se kam përfunduar”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
“Më pas gjatë muajit gusht të vitit 2022, i dëmtuari detyrohet që t’ia bëjë pagesën për blerjen e veturës Audi Q8, të pandehurës në shumën prej 70 mijë eurosh. Me kërcënimin që nëse nuk ia paguan veturën, do t’ia prishë dasmën e djalit”.
“Më datën 5 shtator 2023, i dëmtuari detyrohet që t’ia jap të pandehurës shumën prej 50 mijë eurosh, si kërkesë që të mbyllet kjo çështje”, thekson prokuroria.
Po ashtu e pandehura kërkon nga i dëmtuari shumën prej 5 mijë euro në muaj, që i dëmtuari të mos ketë pasoja familjare.
“I dëmtuari, nga kanosjet se e njëjta fo t’i dërgojë përsëri familjes fotot e videos intime, të pandehurës ia jep 5 mijë euro në muaj, deri në korrik 2023”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
E pandehura ndodhet nën masën e arrestit shtëpiak deri më 10 nëntor 2023.