Manchester United kthehet në një ekip normal pa Cristiano Ronaldon në fushë. Ylli portugez humbi një nga binjakët (djalin), ndërsa skuadra e Ralf Rangnick u shkatërrua 4-0 nga Liverpool në “Anfield”.
Disfata e nëntë sezonale në Premier League për “Djajtë e Kuq”, të cilët po humbasin terren në garën për një biletë në Champions League. Ish-mbrojtësi i United, Gary Neville ka shpërthyer në kritika ndaj lojtarëve të Rangnick.
“United ishte 1 milion milje larg Liverpool në çdo repart. Ishte një mbrëmje për të cilën duhet reflektuar. E prisnim një mbrëmje të tillë. Asnjë tifoz i United nuk erdhi këtu me ndonjë shpresë të veçantë, sepse ky ekip nuk ka asgjë që të bën të mendosh për diçka pozitive.
Sigurisht që ekipi ka lojtarë të mirë dhe të talentuar, por asgjë më shumë. Nuk arrij ta shpjegoj se si shkoi në këtë mënyrë ky sezon. Nuk e kam parë kurrë kaq keq Manchester United.
Është prekur pika më e ulët në 42 vitet e fundit. E përsëris: kurrë në jetën time nuk e kam parë skuadrën kaq dobët”, deklaroi Neville për Sky Sports./SS