Pritja dhe pengesat për liberalizimin e vizave për kosovarët kanë marrë fund të martën e 18 prillit, pasi Parlamenti Evropian miratoi vendimin final duke iu mundësuar qytetarëve të Republikës së Kosovës lëvizjen e lirë nëpër Schengen që përbëhet nga 27 shtete, që nga 1 janari i 2024-ës.
Miratimi u bë pa votim pasi asnjë eurodeputetë nuk pati kundërshtim për heqjen e vizave të kosovarëve.
Me hapin e sotëm iu dha fund pritjes mbi 12 vjeçare të kosovarëve për lëvizje të lirë nëpër Evropë.
Lajmi i madh për Kosovën u mirëprit nga ish-kryediplomatët e vendit, Enver Hoxhaj, Meliza Haradinaj-Stublla dhe Skender Hyseni.
Ata për Klankosova.tv deklaruan se kjo është një ditë e madhe e gëzimi për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, për Klankosova.tv tha se vendimi i sotëm është i duhuri veçse qytetarët e kanë merituar atë që nga viti 2016.
“Vendimi i sotëm është vendim shumë i domosdoshëm dhe i duhur, por i vonuar meqë qytetarët e Kosovës e kane merituar liberalizimin e vizave para disa vitesh, më 2016 apo nga 2018-ta”, deklaroi Hoxhaj.
Madje, Hoxhaj nuk e ka as edhe një dyshim se ky proces mund të zgjatet përtej 1 janarit të 2024-ës.
“Çdo gjë duhet të përfundojë deri në fund të 2023-ës dhe vitin e ardhshëm udhëtojmë pa viza. Lajm i mirë për qytetarët, por arritjet e vonuara për politikën nuk janë arritjet” u shpreh Hoxhaj për Klankosova.tv.
Ish-shefja e diplomacisë kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla, vlerëson se ky është lajm i mirë për qytetarët dhe Republikën e Kosovës anise sipas saj hasi në padrejtësi tash e 12 vjet.
“Padyshim se është lajm i mirë për qytetarët, por edhe për Republikën e Kosovës në përgjithësi, si një vend që rrugëtimin evropian e ka pasur të paalternativë pavarësisht diskriminimit e padrejtësive për 12 vjet kushtëzime e politizime të vazhdueshme të një procesi të thjeshtë teknik” tha Haradinaj-Stublla.
Mes tjerash, ish e para e diplomacisë kosovare thotë se arritja e kësaj dite është kontribut i të gjitha qeverive kosovare.
“Kontributi i secilës qeveri për liberalizimin është kurorëzuar me sukses sot, prandaj e rëndësishme është ecja përpara e Kosovës dhe qytetarëve të saj, e jo ngarendja për merita të politikanëve individualë”, potencoi Haradinaj-Stublla.
Përtej rëndësisë së këtij vendimi edhe ish-kryediplomati Skender Hyseni thotë se Kosova e kosovarët e kanë merituar moti këtë liri të lëvizjes.
“Mendoj se i gjithë procesi do të përfundojë më 1 janar të 2024-ës, si proces është shumë i vonuar madje tej mase, por më mirë vonë sesa hiq”.
“Nuk ka pasur nevojë që i gjithë ky proces të zvarritet kaq gjatë për shkak të pengesave të nga partitë opozitare që nga viti 2016. Është bërë punë e madhe por Kosova këtë vendim e ka merituar moti”, u shpreh Hyseni
Por, për dallim nga të tjerët, Hyseni thotë se partia në pushtet nuk duhet të marrë merita pasi sipas tij është e njëjta që e ka vonuar këtë proces për plotë 7 vjet.
“Partia në pushtet po merr merita, por është e njëjta fajtore që procesi është vonuar për plotë 7 vjet”, deklaroi Hyseni.
Ndërkaq, ish-kryediplomati tjetër, Behgjet Pacolli, reagoi për këtë vendim nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
“Urime të gjithë qytetarëve të Kosovës! Një ditë historike për vendin tonë. Edhe pse e vonuar! Eurodeputetët më në fund miratojnë liberalizimin e vizave me Kosovën. Nga 1 janari lëvizim të gjithë të lirshëm! Akti do të nënshkruhet sot në ligj nga presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola dhe Presidenca suedeze e BE-së”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Kurse, ministrja aktuale e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, liberlizimin e vizave e konsideron si ditë gëzimi për Kosovën ashtu edhe për Bashkimin Evropian.
“Një ditë gëzimi për Kosovën dhe BE-në.Sot, Parlamenti Evropian më në fund vendosi liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. PE-ja ka qëndruar me ne në çdo hap gjatë gjithë viteve. Sot falënderova anëtarët kryesorë të PE-së për mbështetjen e tyre vendimtare”.
“Së bashku jemi Evropë”, ka shkruar Gërvalla në Twitter.