Ish-gjenerali shqiptar: KFOR-i meriton një kritikë të fortë për eskalimin e situatës

0
203

Ish-gjenerali dhe ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj ka analizuar situatën në veri të Kosovës pas sulmit terrorist të ndodhur një javë më parë, saktësisht në Banjskë të Zveçanit.

Lleshaj nuk i kurseu kritikat për KFOR-in kur tha se misioni i NATO-s duhet të bënte një kontroll më të mirë të territorit, e që sipas tij ka përgjegjësi në krijimin e një zone gri në Veri, ku nuk zbatohet ligji pasi është vatër për krimin, kontrabandën dhe futjen e armatimeve.

Ai fajtorë përveç KFOR-it e lë edhe shtetin e Kosovës, që sipas tij, nuk ka arritur të vendos kontrollin territorial në veri që nga çlirimi.

“Kosova ka të drejtë në atë që kërkon por në marrëdhëniet ndërkombëtare duhet dhe fuqi për të realizuar të drejtën. Nëse nuk i ke të dyja nuk mjafton. Kosova ka humbur kohë shumë. Sepse Kosova nuk ka arritur ta vendosë kontrollin mbi territorin e saj kur u çlirua. I ngeli një pjesë e territorit jashtë kontrollit. Normalisht në përkufizimin e shtetit një ndër tre elementët është kontrolli i territorit. Ka 23 vjet që nuk e ka ushtruar de fakto kontrollin në atë pjesë të territorit. Kërkon të kompensojë një kohë të humbur me gjithë dëshirën e mirë, por me fuqi të reduktuar, ekonomike ushtarake dhe politike.

Nuk ka siguruar ende një mbështetje të plotë ndërkombëtare për këtë. Nuk duhet të lihet një zonë e zezë aty, strehë e krimit dhe e kontrabandës. Sa më shumë të gërmosh aty aq më shumë do gjesh. Kosova duhet të vendosë kontrollin aty.

KFOR-i e ka fuqinë dhe nuk merr leje dhe nuk pyet askënd. Se ka hyrë me forcë aty dhe ka vendosur një regjim juridik. Por në varësi të gjendjes në terren, KFOR-i e ka rritur ose zvogëluar prezencën e saj.

KFOR-i meriton një kritikë të fortë për eskalimin e situatës. Duhet të kishte bërë kontroll më të mirë të territorit”, tha Lleshaj.

Siç shton ish-gjenerali, në dy vitet e fundit Serbia është armatosur rëndë pikërisht për të vënë në zbatim planin e asaj që e ka të shkruar në kushtetutë, gjë që vlerëson se është shpërfillur nga ndërkombëtarët, të cilët kanë vijuar përpjekjet për dialog.

“Ajo që shohim sot është vetëm një hap logjik përshkallëzimi që shkruhet në Kushtetutën e Serbisë, që Kosova duhet të jetë pjesë e Serbisë. Shteti serb ka një detyrë kushtetuese, të kthejë mbrapsht Kosovën. Identiteti i Vuçiq i lidhur me dy figura problematike, Millosheviçi dhe Putin dhe përpjekja për të kthye në anën perëndimore është iluzive. Është një hap logjik i radhës në një strategji që synon rikthimin mbrapsht të Kosovës. Serbia është armatosur rëndë këto dy vite në mënyrë të heshtur, po përgatitet për diçka dhe është ajo që e urdhëron kushtetuta e tyre,  pjesa tjetër është naivitet politik”, tha Lleshaj për Euronews Albania.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here