Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën, në gjykimin për korrupsion ndaj ish-kryeshefit të Infrakosit dhe ish-drejtorëve të Komunës së Prizrenit, i akuzuari Sadik Paqarizi ka dhënë mbrojtjen e tij, ku tha se gjatë mandatit të tij nuk ka pasur asnjë kërkesë apo ankesë nga Infrakosi.
Në këtë rast, po akuzohen Agron Thaçi, ish-kryeshef ekzekutiv i Infrakos-it, tre ish-drejtorët e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Sadik Paqarizi, Nijazi Kryeziu e Visar Islamaj, ish-drejtori i Inspektorateve në Prizren, Bujar Nerjovaj, ish-inspektori i ndërtimit, Bashkim Krasniqi, si dhe menaxheri dhe bashkëpunëtori profesional i Infrakosit në Prizren, Naim Avdyli, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Shtatë të akuzuarit ngarkohen se kanë shkaktuar degradimin e pronës, si dhe infrastrukturën e hekurudhës së Komunës e Prizrenit, se e kanë bërë të papërdorshme, duke i shkaktuar dëm Infrakosit në vlerë të përgjithshme prej 104 mijë e 674 euro e 61 centë.
“Gjatë mandatit tim, unë nuk kam pasur asnjë kërkesë apo ankesë nga Infrakosi, për çfarëdo veprimi të komunës, respektivisht të punës së drejtorisë të cilën unë e kam drejtuar” tha i akuzuari Paqarizi.
Në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokat Arben Shala, nëse është respektuar vija ndërtimore dhe vija rregulluese ku ka plan rregullues të hollësishëm për lejet e përmendura në aktin akuzues, i akuzuri ka thënë se janë respektuar këto vija, e që sipas tij shihen në skicën e planit të parcelave.
Po ashtu, ai ka thënë se projekti kryesor për lejet ndërtimore nënshkruhet nga bashkëpunëtorët profesional, arkitektët dhe inxhinierët e ndërtimit.
Kurse, në pyetjen e prokurorit Genc Nixha se kur është bërë diskutimi publik me qytetarët dhe me palët e interesit a ka qenë dikush nga Infrakosi, i akuzuari Paqarizi ka thënë se kanë marrë pjesë shumë persona dhe subjekte dhe se nuk është në dijeni nëse ka qenë dikush nga Infrakosi.
I akuzuari u ballafaqua me deklaratën e dhënë në Prokurori më 28 shtator 2018, ku tha se ai në deklaratën e tij kishte thënë se Agron Thaçi në cilësinë e kryeshefit të Infrakosit kishte marrë pjesë në një tryezë publike.
Lidhur me këtë ballafaqim, kundërshtim ka paraqitur avokati Shala, i cili tha se tryeza publike është bërë pas miratimit të planeve rregulluese të hollësishme dhe se kështu ka deklaruar edhe i mbrojturi tij.
Prokurori Nixha ka kërkuar nga gjykata që avokatit Shala t’i jepet vërejtje pasi që i njëjti sipas tij vazhdimisht ka dhënë sugjerime në përgjigjet e të mbrojturit të tij.
“I akuzuari mund të përgjigjet me po ose jo, kurse ti po e udhëzon me deklaru, u përgjigje në vend të tij”, tha prokurori Nixha.
Më pas, prokurori Nixha e ka pyetur të akuzuarin lidhur me atë se përse nuk figuron pëlqimi i Infrakos-it në lejet urbanistike të cilat i ka nënshkruar, kurse ai tha se një pëlqim i tillë nuk është i kërkuar me ligj.
Tutje, të akuzuarin Paqarizi anëtarja e trupit gjykues, Raima Elezi, e pyeti se a ka refuzuar ai ndonjë kërkesë të invesistorëve në pjesën e qytetit që është objekt i akuzës, ai u përgjigj se ka pasur të tilla në rastet kur nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore sipas planit rregullues.
Kurse, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha të akuzuarit Paqarizi i tha se nëse është dislokuar hekurudha dhe stacioni policor hekurudhor me planin rregullues numër 01-011-2341 më 29 shkurt 2012, pse nuk është lejuar hyrja dhe dalja nga ana e pronës së hekurudhës.
Lidhur me këtë, i akuzuari tha se llogaritet pronë e huaj e që në këtë rasti sipas tij llogaritet si pronë e Qeverisë së Kosovës.
Më pas, prokurori Nixha, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre kanë kërkuar që seanca e sotme të ndërpritet, e cila kërkesë është aprovuar nga gjykata.
Seancat e radhës janë caktuar më 26 dhe 27 shtator 2022.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Sadik Paqarizit, Nijazi Kryeziut, Visar Islamaj, Bujar Nerjovaj, Bashkim Krasniqit, Agron Thaçit dhe Naim Avdylit, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës, Paqarizi, Kryeziu, Islamaj, Nerjovaj, Krasniqi, Thaçi dhe Avdyli, akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë, kanë tejkaluar kompetencat, nuk i kanë përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, duke i shkaktuar dëm personit tjetër.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Paqarizi, në periudhën kohore 2012-2014, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka lëshuar leje ndërtimi firmës “Breu Petrol”, më 9 gusht 2012, leje ndërtimi për personin Reshat Kamberi, më 25 korrik 2013 dhe leje ndërtimi për personin Xhavit Spahija, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik, i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063, ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme, duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Kryeziu, në periudhën kohore 2014-2016, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave duke lëshuar leje ndërtimi personit Nexhat Bytyqi, më 30 maj 2014 dhe leje ndërtimi për personin Avni Haliti, më 21 maj 2014, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.
Me ç’rast, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.
Në aktakuzë thuhet se edhe i akuzuari Islamaj, në periudhën kohore 2016-2017, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave duke lëshuar leje ndërtimi për firmën “Fat Grup”, më 6 mars 2017, po ashtu leje ndërtimi për personin Agron Kuka, më 3 maj 2017, leje ndërtimi për personin Mexhid Karavidaj, më 29 nëntor 2016, si dhe leje ndërtimi për personin Nrec Thaqi, më 8 prill 2017, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Nerjovaj, ka lejuar edhe ndërtimin e katit të shtatë edhe përkundër konkluzionit të nënshkruar nga ana e tij, më 8 prill 2014, nuk është dhënë urdhër që i njëjti të zbatohet e që ka qenë kompetencë e tij, si dhe po ashtu ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari i ndërtesës-investitori ka bërë mbi pronën e hekurudhave “INFRAKOS” dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim parandalues.
Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOSIT”, në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.
Gjithnjë sipas së njëjtës aktakuzë, i akuzuari Bashkim Krasniqi, gjatë vitit 2012, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave edhe pse ka qenë i caktuar për inspektimin e këtij ndërtimi, ku objekti, ka pasur leje për ndërtimin e 2+B+P+6, dhe gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka lejuar që të bëhet mbindërtimi, pra edhe i katit të shtatë, respektivisht tejkalimi i lejes së ndërtimit, si dhe ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari-investitori e ka bërë në pronën e hekurudhave.
Ndërkaq, i akuzuari Thaçi, gjatë vitit 2013, në Fushë Kosovë, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e kryeshefit të “INFRAKOS”, thuhet se nuk i përmbush detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta, nuk ka vepruar sipas Ligjit për Hekurudhat, ku në nenin 128, paragrafi 2, parashihet që punët mbrojtëse, përfshirë edhe masat e parandalimit për veprimet e ndaluara-ndërtimet në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, duke mos marrë pjesë në diskutimet publike për planin rregullativ urban për Komunën e Prizrenit, ku është marrë edhe Plani Rregullativ Urban i 18 tetorit 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063, dhe duke vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “INFRAKOS”.
Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëm në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Avdyli, gjatë vitit 2013, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e menaxherit të patundshmërive dhe bashkëpunëtorit profesional pranë “INFRAKOS” nuk i përmbush detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës, duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta, nuk ka vepruar sipas Ligjit për Hekurudhat, për masat e parandalimit për veprimet e ndaluara-ndërtimet në apo në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, dhe duke vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “INFRAKOS”.
Me këtë, thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëm në vlerë të përgjithshme 104 mijë e 674 euro e 61 centë.
Me këtë, të gjithë të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi