Presidenti Donald Trump paralajmëron Iranin që të mos “godasë” sepse thotë se SHBA do t’i godasë me një forcë që nuk është parë kurrë më parë.
“Irani deklaroi se do të godasë shumë fort sot, më fort se kurrë më parë. MË MIRË TË MOS E BËJNË KËTË, SEPSE NËSE E BËJNË, NE DO T’I GODASIM ME NJË FORCË QË NUK ËSHTË PARË KURRË MË PARË! Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, është shprehur Trump.
Deklarata e tij vjen pasi Islamic Revolutionary Guard Corps paralajmëroi se do të sulmojë bazat amerikane dhe Izraelin në shenjë hakmarrjeje për vdekjen e Khameneit, shkruan BBC.
“Operacioni më shkatërrues ofensiv në historinë e forcave të armatosura të Republikës Islamike të Iranit do të nisë drejt territoreve të pushtuara dhe bazave terroriste amerikane brenda pak çastesh”, thuhej në deklaratën e publikuar disa orë më parë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë goditur me sulme ajrore Iranin në më shumë se 20 provinca, duke vrarë të paktën 200 persona. Liderët e SHBA-së dhe Izraelit janë zotuar se do t’i vazhdojnë sulmet deri në zhdukjen e programit bërthamor iranian, teksa zyrtarët e të dyja shteteve kanë shpallur vrasjen e liderit suprem iranian Ali Khamenei. Irani është kundërpërgjigjur duke sulmuar Izraelin dhe bazat amerikane në rajon. Fuqitë evropiane kanë dënuar përshkallëzimin teksa kanë kërkuar zgjidhje diplomatike.














































